Qindra qytetarë “të padukshëm” morën shtetësinë e Maqedonisë së Veriut

Ministria për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut ka furnizuar rreth 300 qytetarë me shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, qytetarë që kanë jetuar këtu por nuk kanë pasur asnjë shtetësi, transmeton Portalb.mk.

“MPB-ja ka lëshuar vendime pozitive për fitimin e shtetësisë për të gjithë 300 personat që kishin filluar me kohë procedurën për fitimin e shtetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe që kishin statusin e personit pa shtetësi dhe jetonin në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, njoftoi zëvendësministri i MPB-së, Astrit Iseni.

Prej vitit 2021 e deri në vitin 2024, shtetësinë e Maqedonisë së Veriut e kanë marrë 1 148 shtetas të ish-RSFJ-së, u bëjnë pjesë edhe 300 persona që nuk kanë pasur aspak shtetësi. Në këtë periudhë filloi zbatimi i ndryshimit të nenit 7 të Ligjit për Shtetësi të RMV-së, ku u zbatuan disa lehtësime ligjore për marrjen e shtetësisë për disa qytetarë që kanë jetuar këtu deri më 8 shtator të vitit 1991.

Nisma për lehtësimin e procedurës për marrjen e shtetësisë është projekt i mbështetur edhe nga UNHCR-ja dhe Misioni i OSBE-së në Shkup.

Ndryshe, Avokati i Popullit Naser Ziberi në muajin shkurt kërkoi zgjidhje të problemit për rreth 400 “persona të padukshëm” të cilët kanë kërkuar vërtetim sipas ndryshimeve ligjore në vitin 2021.

Sistemi jo konsistent i shkëmbimit të të dhënave të institucioneve, numri i madh i procedurave burokratike dhe ligjet e krijuara keq çuan në faktin që mbi 700 persona në vend nuk kanë shtetësi. Shpesh të quajtur në publik si persona “fantom”, këta persona nuk kanë pasur qasje në të drejtat elementare të njeriut – sigurim shëndetësor, posedim të letërnjoftimit dhe përdorimin e ndihmës sociale deri në hapjen e llogarisë së transaksionit.