Qeveria në Podgoricë e ndaloi marrëveshjen e kredisë me bankën serbe Alta, e cila që nga viti i kaluar operon edhe në RMV
Qeveria e Malit të Zi e ka tërhequr pëlqimin e dhënë më herët, me të cilin kompanisë “Lustica Development”, investitore në kompleksin luksoz turistik Lustica Bay, i ishte mundësuar të vendoste hipotekë mbi pronë shtetërore si garanci për kredi prej 15 milionë eurosh nga Alta Banka Beograd. Kjo bankë, e cila vitin e kaluar bleu Stopanska Bankën – Manastir në Maqedoninë e Veriut, konsiderohet e afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton Portalb.mk.
Marrëveshja kontestuese lidhet me marinën dhe shëtitoren bregdetare në kompleksin Lustica Bay pranë Tivatit, të ndërtuara në tokë shtetërore me sipërfaqe prej rreth 18 mijë metrash katrorë.
Siç raportoi media malazeze Vijesti, Qeveria e Malit të Zi më 29 qershor e kishte pranuar kërkesën e kompanisë “Lustica Development”, me çka duhej të mundësohej vendosja e hipotekës në favor të Alta Bankës – Beograd, si garanci për kthimin e kredisë prej 15 milionë eurosh.
Por, më 28 korrik, vetëm dy ditë pasi “Vijesti” publikoi informacionin për marrëveshjen e planifikuar, qeveria e kryeministrit Milojko Spajiq e ndryshoi vendimin dhe e anuloi konkluzionin e mëparshëm. Kështu, praktikisht u pengua që prona shtetërore – marina dhe shëtitorja – të vendosej nën hipotekë në favor të bankës me seli në Beograd.
Në arsyetim nuk ishte dhënë ndonjë arsye konkrete për ndryshimin e vendimit, por vetëm ishte theksuar se kishin ndodhur “rrethana të caktuara juridike dhe faktike”, për shkak të të cilave kishte pushuar baza për ekzistimin e së drejtës së hipotekës. Sipas të dhënave kadastrale të kontrolluara nga “Vijesti”, hipoteka në favor të Alta Bankës nuk ishte regjistruar fare.
Nga “Lustica Development” konfirmuan se aktualisht nuk kanë marrëveshje kredie me Alta Bankën.
As Alta Banka – Beograd nuk iu përgjigj pyetjeve të medias malazeze lidhur me bashkëpunimin e deritanishëm kreditor me investitorin e Lustica Bay dhe kredinë e planifikuar prej 15 milionë eurosh.
Në maj të vitit 2025, banka serbe “ALTA Banka” ShA Beograd e bleu “Stopanska” Bankën Manastir, një proces ky që u krye me pëlqimin zyrtar të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV).
Sa i përket pronarit të “Alta Group”, mediat serbe shkruajnë se bëhet fjalë për Davor Macurën, për të cilin e përjavshmja “Radar” publikoi një artikull më 31 korrik të atij viti me titullin “Më i përparuar edhe se progresivët”. Sipas hulumtimit të “Radar”, sukseset e tij në biznes u rritën ndjeshëm me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit. Sipas marrëveshjes së re të bankës me Kompaninë Serbe të Energjisë Elektrike (EPS), qytetarët e Beogradit detyrohen t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike direkt në llogarinë e hapur në “Alta Bank”.
Kjo lëvizje kapitali përkon me paralajmërimet e fundit të Bashkimit Evropian. Raporti i BE-së, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian (PE), tërheq vërejtjen për rritjen e ndikimit gjeopolitik të Rusisë dhe Kinës në rajon, ndërsa dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.