Abazi: Kërkojmë nga Qeveria e RMV-së ta subvencionojë Postën e Maqedonisë së Veriut

Posta e Maqedonisë së Veriut më shumë shpenzon se sa fiton, kështu thonë të dhënat e vetë Postës, sipas të cilave në vitin 2022, ka humbur afër 4 milionë euro, ndërkaq në vitin 2023 më shumë se 1.7 milionë euro. Drejtoresha e Postës, Bujare Abazi thotë se këtë minus duhet ta subvencionojë Qeveria, pasi që Posta është në pronësi të shtetit. Nga ana tjetër, pritet që Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të vendosë nëse do ta ndihmojnë postën, shkruan Portalb.mk. 

Posta e Maqedonisë e cila është në pronësi të shtetit dhe ndër vite funksionon me vështirësi, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në shërbimet postare për çka qytetarët në vazhdimësi ankohen për vonesën e letrave dhe porosive të tyre.

Portalb.mk bisedoi me drejtoreshën e Postës së Maqedonisë së Veriu Bujare Abazi, e cila tregoi për vështirësitë e Postës, hapat që ajo i ndërmerr dhe situatën aktuale të Postës.

Drejtoresha Abazi ka ardhur në pozitën e drejtorit të Postës së Maqedonisë në mars të vitit 2023 pas shkarkimit të Vasko Stefanov-it. Sipas Abazit, kur ajo është emëruar në këtë pozitë, Posta veçmë ka pasur borxhe të mëdha prej të cilave ajo deri në maj të vitit 2023 ka arritur të paguajë borxhe në vlerë prej 4.2 milionë euro.

Sipas Abazit, një nga problemet me të cilin Posta po përballet prej vitit kaluar është se Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk e ka subvencionuar Postën edhe pse instituti është në pronësi të shtetit. Abazi informoi se janë në bisedime me Qeverinë për subvencionimin e Postës dhe aktualisht pritet nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të vendosë nëse do ta pranojnë kërkesën e Postës për subvencionim.

“Ka mbetur që Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të vendosë nëse Qeveria do të subvencionojë Postën e Maqedonisë, për shkak se kishin disa kundërshtime”, informuan nga Posta.

Drejtoresha e Postës, Abazi për Portalb.mk gjithashtu siguroi edhe të dhëna për gjendjen financiare të Postës për vitin 2022 dhe 2023. Të hyrat e Postës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2022 kanë arritur vlerën prej rreth 13 milionë euro, ndërsa të hyrat e Postë për vitin 2023 shënojnë mbi 14.2 milionë euro.

Ndërsa sa u përket shpenzimeve, ajo informoi se janë munduar që edhe ato ti ulin sa kanë mundësi, por ajo theksoi se shpenzimet e Postës janë esenciale si për rrymë elektrike dhe paga.

Shpenzimet e Postës në vitin 2022 kanë arritur vlerën e 16.9 milionë euro ndërsa në vitin 2023 ky numër ka qenë 16 milionë euro që shënon një ulje në shpenzimet e Postës për 925 mijë e 905 euro për dallim nga viti 2022.

Të hyrat dhe shpenzimet e Postës së RMV-së për vitin 2022 dhe 2023, Infografik: Portalb.mk
Të hyrat dhe shpenzimet e Postës së RMV-së për vitin 2022 dhe 2023, Infografik: Portalb.mk

Drejtoresha theksoi se kur ajo ka ardhur në këtë pozitë, Posta veçmë ka pasur borxhe të mëdha dhe nuk mund të pritet nga Posta që për një vit t’i kthejë të gjitha dhe të funksionojë pa humbje dhe të ketë përfitime. Por ajo theksoi se prej në maj të vitit 2023, Posta ka arritur të ulë humbjet e saja për më shumë se 2.2 milionë euro. Gjegjësisht humbje e Postës në vitin 2022 kanë qenë në vlerë prej afër 4 milionë euro ndërsa humbjet e Postës për vitin 2023 janë në vlerë prej mbi 1.7 milionë euro. Për pjesën e mbetur të humbjeve, Posta e Maqedonisë kërkon që ta subvencionojë Qeveria.

Se çka mund të ndihmojë që Posta të mund të funksionojë pa humbje me situatën aktuale të Postës, sipas drejtoreshës janë subvencionet nga Qeveria.

Edhe pse këto të dhëna tregojnë përmirësimin e Postës, drejtoresha informoi se Posta përsëri ka vështirësi për shkak se është lënë pa asnjëfar ndihme.

Në postë janë të punësuar gjithsej 1870 punonjës të rregullt që marrin mesatarisht marrin paga në vlerë prej 26 mijë denarëve.

Sa i përket mungesës së postierëve Abazi informoi se Posta ka 517 postierë të rregullt dhe 207 postierë me kontratë. Ajo konfirmoi se ka pasur raste kur postierët për një kohë të shkurtër pasi që janë punësuar e kanë braktisur punën për shkak se kanë qenë të pakënaqur me rrogën.

Sa u përket reagimeve të qytetarëve, ajo informoi se çdo njësi postare ka udhëheqësit e vet edhe se ata janë përgjegjës për kontrollimin e postierëve në regjionin e tyre, duke konfirmuar se ka edhe keqpërdorime.

Duke theksuar se nevojitet një menaxhim dhe organizim më i mirë nga pikat e postës nëpër rajone, Abazi theksoi se është e informuar për jo përgjegjësinë e postierëve edhe se ka reaguar mirëpo këtu nevojitet edhe nga udhëheqësit e Postës nëpër rajone të reagojnë dhe të menaxhojnë me punonjësit.

“Ka keqpërdorime nga punonjësit, ka postierë të cilët nuk e kryejnë punën e tyre, nuk i dërgojnë letrat apo i hedhin diku edhe nuk i dërgojnë në adresë. Kam reaguar për këtë te drejtorët e çdo njësie postare dhe te udhëheqësit e postës në ato rajone, mirëpo çka e bën këtë edhe më të vështirë është edhe punësimi në anë të partisë dhe presioni politik që përballemi nga persona që janë të punësuar edhe nuk e kryejnë punën e tyre.” tha drejtoresha Abazi.

Një zhvillim që do ta lehtësonte edhe punën e postës, sipas Abazit është edhe digjitalizimi i Postës, gjegjësisht sigurimi i një sistemi mekanik që do të lehtësonte organizimin dhe menaxhimin e porosive por edhe do të ndihmonte në kontrollimin e punës së çdo poste në vend.

Abazi gjithashtu informoi se planifikon që punonjësve të postës t’u sigurojë uniforma.

Nga ana tjetër, për pesë vitet e fundit, shërbimet postare që i kryen Posta e Maqedonisë janë në rënie. Në vitin 2019 vlera e shërbimeve postare ka qenë prej 584 mijë euro ndërsa në vitin 2023 kjo vlerë ka rënë në 434 mijë euro , gjegjësisht shërbimet postare për pesë vitet e fundit kanë shënuar rënie prej 150.000 euro.

Qarkullimi i vëllimit të shërbimeve të postës për pesë vitet e fundit, Infografik: Portalb.mk
Qarkullimi i vëllimit të shërbimeve të postës për pesë vitet e fundit, Infografik: Portalb.mk

Posta e Maqedonisë së Veriut, e cila është në pronësi të shtetit me vite me radhë punon në humbje. Për shkak të vështirësive të Postës, Qeveria në vitin 2020 e hapi edhe debatin për privatizimin e saj dhe për këtë arsye Qeveria angazhoi edhe një kompani të kryejë një studim të fizibilitetit të postës. Mirëpo, ky studim hapi telashe tjera për postën, pasi ish sekretari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri u akuzua dhe u dënua me dy vite e gjashtë muaj burg për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, për arsye se ka lidhur kontratë për analizimin e situatës së postës pa procedurë për prokurim publik.