Parashikimi i tornados në Detin e Zi, Rusia tërheq anijet dhe transportuesit e raketave në baza

Parashikohen tornado në rajonin e Detit të Zi pasi stuhia vrau të paktën 14 njerëz dhe la më shumë se 2 milionë pa energji elektrike në Rusi dhe Ukrainë, përfshirë Krimenë e pushtuar, transmeton Portalb.mk.

Instituti Amerikan për Studimin e Luftës tha se stuhia e kishte detyruar Rusinë të kthente anijet e saj detare dhe raketat bartëse në bazat e tyre, por gjithashtu se kërcënimi i minave që lëviznin lirshëm nëpër Detin e Zi ishte rritur pasi stuhia shkatërroi fushat e minuara.

Siç raporton Guardian, ka edhe raporte se stuhia ka dëmtuar hekurudhat në zonat bregdetare, gjë që mund të ndikojë në aftësitë logjistike të ushtrisë ruse në Krimenë e pushtuar dhe në Ukrainën jugore.

Në përditësimin e fundit të inteligjencës britanike, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se Rusia kishte bërë një përparim të vogël në aksin verior të lëvizjes si pjesë e një përpjekjeje për të rrethuar Avdiivka.

“Edhe pse Avdiivka është bërë një fryrje në vijën e frontit ukrainas, Ukraina mbetet në kontroll të një korridori të gjerë rreth 7 km të territorit përmes të cilit vazhdon të furnizojë qytetin”, thuhet në raportin e inteligjencës britanike.

Ndërkohë, katër persona u vranë dhe të paktën pesë u plagosën nga predha ruse që goditën një ndërtesë pesëkatëshe në qytetin jugor të Ukrainës, Nikopol gjatë natës, tha guvernatori i rajonit të Dnipropetrovsk, Serhiy Lisak, raportoi Guardian.

Agjencia ukrainase e lajmeve Ukrinform raportoi se forcat ruse kryen sulme në Donetsk, ku u plagosën shtatë civilë dhe në rajonin Kherson, ku u plagosën katër persona.

Ukrinform raporton gjithashtu për sulme në tre komunitete kufitare në rajonin Sumy.