Qeveria e përkohshme e Bullgarisë u betua para zgjedhjeve parlamentare

Në Bullgari u betua qeveria e përkohshme deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në prill, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri i përkohshëm Andrey Gurov, dhe kabineti i tij bënë betimin sot para Asamblesë Kombëtare.

Në ceremoninë e betimit mori pjesë edhe presidentja Iliana Iotova, e cila shpalli datën e zgjedhjeve parlamentare për më 19 prill.

Bullgaria ka qenë pa qeveri të rregullt që nga 11 dhjetori i vitit 2025, kur kryeministri Rosen Zhelyazkov dha dorëheqjen e kabinetit të tij pas disa javësh protestash.

Në mesin e dhjetorit, presidenti filloi procedurat kushtetuese për formimin e një qeverie të re, duke zhvilluar konsultime me grupet parlamentare të Asamblesë së 51-të Kombëtare.

Pas tre përpjekjeve të dështuara për të formuar qeverinë, presidentit iu kërkua të emërojë një kabinet të përkohshëm dhe të caktojë zgjedhje të parakohshme brenda dy muajsh.

Po ashtu, ish-presidenti Rumen Radev dha dorëheqje muajin e kaluar, duke ia kaluar detyrat e tij zëvendëspresidentes Iotova.

Situata politike në Bullgari shpesh është marrë edhe për arsyetim në ngërçin e RMV-së drejt BE-së.