Mickoski: Nuk na duhet një proces pa fund, por e ardhme evropiane

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në Konferencën e Mynihut në Gjermani ritheksoi qëndrimet e vendit mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian, ai thotë se nuk duhet proces i pafund por e ardhme evropiane, raporton Portalb.mk.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Mickoski thekson se mesazhi është i thjeshtë dhe se Maqedonisë dhe rajonit “nuk u duhet një proces pa fund, por një e ardhme evropiane e merituar dhe e parashikueshme”.

“Ka ardhur koha që reformat dhe puna e qytetarëve tanë të vlerësohen siç duhet”, shkruan në postim.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet. 

Ndërkohë, qëndrimi i Qeverisë për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar dhe ato nuk do të ndodhin pa garanci të qarta se procesi i integrimit evropian nuk do të shoqërohet me bllokada dhe kushte të reja dypalëshe.