Mickoski: Nuk do të hyjmë në aventurë pa e ditur se fundi është i arritshëm, BE-ja të përfshihet në mosmarrëveshjen me Bullgarinë

Nuk mund të flas se sa mund të presim nga partneri strategjik SHBA-ja sa i përket integrimit në BE, por ne e shfrytëzojmë çdo mundësi për t’i paraqitur argumentet tona, tha kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë për RTM 1 nga Nju Jorku, transmeton Portalb.mk.

Mickoski përsëriti qëndrimin se Brukseli duhet të përfshihet në proces, në mënyrë që të dëgjojë argumentet e të dyja palëve.

“Ideja jonë kur themi që duhet të përfshihet edhe Bashkimi Evropian është që të dëgjojnë edhe argumentet tona, edhe argumentet e palës tjetër. E di se cili është shqetësimi nga ana e Sofjes zyrtare. Ata thonë: ‘Nëse ulemi në prani të një partneri të tretë, kjo do të thotë se vërtet kemi një mosmarrëveshje dypalëshe’. Dhe vërtet kemi mosmarrëveshje dypalëshe. Mund të shpikim, të bëjmë sikur nuk kemi, por në thelb vërtet kemi një mosmarrëveshje dypalëshe, e cila tani është në fillimet e saj. Dhe derisa është në fillim, këtë e thashë edhe në fjalimin tim, duhet të zhvillojmë dialog dhe pikërisht për këtë na nevojiten përfaqësues të organizatave shumëpalëshe, në këtë rast të Bashkimit Evropian, që t’i dëgjojnë argumentet”, tha Mickoski.

Mickoski tha se nuk ka ndërmend të hyjë në “aventurë” pa e ditur se fundi është i arritshëm.

“Nuk do të donim të hynim në një proces që më pas vazhdimisht do të shtyhej. Pse? Sepse, po të jem krejtësisht i hapur dhe i drejtpërdrejtë, nëse nesër i hapim negociatat, çdo kapitull, çdo klaster më pas do të duhet të votohet në parlamentet kombëtare të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kur mbyllet. Kjo është të paktën 80 herë mundësi që ne përsëri të marrim kërkesa të reja. Si do të duket kjo? Do të shfaqet ndonjë strukturë më radikale në parlamentin e fqinjit tonë lindor dhe më pas këta politikanë të rrymës kryesore do të thonë: ‘E dini, tani për shkak të problemeve të brendshme duhet t’i bllokojmë përsëri, e dini, ndikimi rus, ky ndikim, ne po luftojmë kundër atij ndikimi rus, e dini, ju jeni rusët e këqij, ne jemi evropianët e mirë të Brukselit’, dhe përafërsisht kështu do të duket e gjithë kjo. Unë nuk do të hyj në atë proces”, shtoi Mickoski.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.