“Qentë e rezervuarit” i bazuar në skenarin e filmit të Tarantinos vjen në Teatrin e Tetovës nga studentët e UT-së

Premiera e shfaqjes “Qentë e rezervuarit’’ është të mërkurën, 17 prill, në orën 20.00. Ndërsa të enjten (18 prill) do të mbahet repriza e parë. Shfaqja e diplomës e cila është pjesë e memorandumit të nënshkruar mes Universitetit të Tetovës dhe Teatrit të Tetovës, do të futet në repertorin e rregullt të teatrit dhe do të shfaqet disa herë për publikun, njofton Portalb.mk.

Në shfaqje luajnë studentët e aktrimit të gjeneratës 2020- 2024, të cilët janë udhëhequr nga profesor Kushtrim Bekteshi, që po përcjell dhe gjeneratën e parë të aktorëve si profesor në këtë universitet.

Klasa përbëhet nga studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, gjithsej gjashtë të cilët luajnë në shfaqje: Plumb Beadini, Edmond Sadiki, Besian Sulejmani, Albrim Kryeziu, Jurgen Liçkollari, Elton Tahiri.

Pjesë e shfaqjes janë edhe aktorë profesionistë nga Teatri i Tetovës: Arsim Fazlia, Abdulla Osmani, Vullnet Ismani, Ardit Selmani.

Skenograf i shfaqjes është Betim Zeqiri, kostumografe Emira Ymeri, piktor Bilgaip KoçishteBige, ndërsa për pllakatin u përkujdes Nagip IsmailiNagi.

Të gjithë kanë punuar në baza vullnetare (pa honorarë) me qëllimin që t’i ndihmojnë studentët dhe institucioneve të sipërpërmendura.

Dekani i Fakultetit të Arteve, Senad Abduli tha se ky memorandum nënshkruhet në kuadër të jubileut të 30 të Universitetit të Tetovës.

Drejtori Abdulla Osmani tha se bashkëpunime ka pasur gjithnjë mes institucioneve, të natyrës së shfrytëzimit të hapësirave, kostumeve dhe teknikës, kësaj radhe “bashkëpunimi është avancuar duke i mundësuar teatrit të angazhojë studentë në shfaqje sa herë ka nevojë dhe shfaqjet e diplomës gjithnjë të dalin si një lloj bashkëprodhimi mes dy institucioneve.”

“Qentë e rezervuarit” flet për një grup kriminelësh që vjedhin diamant në një dyqan argjendarie, por gjërat nuk shkojnë sipas planit, dyshohet se dikush i ka tradhëtuar, por kush?

#Ejani në Teatër! E zbulojmë së bashku!