“Vizitë në kasollen e Heidegger-it” (Logos-A, 2026), është një vepër e re në duart e lexuesit shqiptar, e përbërë nga ese filozofike, shënime nga ditari i İbrahim Kalın-it, njeri i dy poleve në shikim të parë skajshmërisht të largëta: kundërzbulimit dhe filozofisë. Vepra me rrezatim të thellë mendimi që e keni para nis me vizitën që autori i bëri në vitin 2019 kasolles së filozofit gjerman Martin Heidegger në rajonin e Pyllit të Zi (Schwarzwald) në Gjermani, në fshatin Todtnauberg. Kjo vizitë shndërrohet në pikënisjen e një udhëtimi meditativ mbi çështjen e “Qenies”, e cila përbën boshtin konceptor, madje edhe misionin e Heidegger-it dhe të librit. “Ata që i bëhen fqinjë Qenies, nuk tëhuajësohen, nuk ushqejnë armiqësi kundër saj, nuk sillen keq me të dhe nuk përpiqen të përfitojnë prej saj.” (f. 31)
Sipas Ibrahim Kalın-it, problemi i rrënjëve (i Qenies) sot nuk është thjesht se ka mbetur pa përgjigje, ai pothuajse “është zhdukur tërësisht nga agjenda e njerëzimit, gjë që nuk është një çështje e lehtë për t’u kapërcyer; sepse mosballafaqimi me këtë problem do të thotë t’i lësh pa zgjidhje edhe problemet shoqërore dhe politike.” (Akkoç, 2025) Qytetërimi i lartë mund të ndërtohet vetëm nëse ruhet lidhja e dëlirë, e thjeshtë dhe e drejtpëdrejtë me qenien. Në këtë drejtim, për të frymuar lumnisht, me shpirt të paqtë e të kënaqur, gjërave nuk duhet t’iu qasemi në mënyrë instrumentale, jo si zot i tyre por si pjesë e mjedisit natyror (habitat) dhe botës së jetës (lebenswelt).
Kalın-i herë pas here i drejtohet imazheve të katastrofës së tekno-modernizmit, atij të njeriut që ka mbetur vetëm një gërmadhë, për t’u përqendruar te shkatërrimet në fushën e përsiatjes, reflektimit dhe mendimit. Sipas tij, njeriu duhet t’i shmanget prirjes për mbizotërim, shfrytëzim dhe abuzim, sepse ato qenien e shndërrojnë në hiç, kuptimin në absurd, kurse të vërtetën në mashtrim. Ai duhet ta luftojë thatësirën që na ka pushtuar mendjen, zemrën dhe shpirtin, duhet të shpëtojë nga “mënyra teknologjike e të qenit”, asaj që René Guénon e quan “sundim i sasisë”. Për të shpëtuar nga mbretëria e numrave, Heidegger-i shpesh punonte në fshat, duke e lënë “të poshtmen”, qytetin, për të vajtur “lart”, në katund, duke komunikuar me Dasein-in, qenien që “gjendet” dhe “është”.
Ashtu siç theoria është një udhëtim shpirtëror dhe rit fetar, edhe filozofia e shkenca janë një udhëtim ontologjik që na përgatit për të dëshmuar të vërtetën e qenieve. Heidegger-i kritikon edhe universitetin modern që ka një natyrë shteruese që e mbyt mendimin, që filozofinë e flijon për hir të akademizmit dhe sublimitetin e mendimit për hir të titujve, posteve, emërimeve, mbledhjeve departamentale dhe luftrave mes egosh akademike (f. 27). Qëllimi përfundimtar i universitetit nuk është të na bëjë profesionistë, të shpërndajë tituj apo të japë status social. Arsimi i vërtetë na ndihmon të kuptojmë veten – identitetin tonë, na e ndriçon domethënien e qenies dhe drejtimin e rrugëtimit tonë në këtë botë; ai na e gdhend mendjen, na e zgjeron këndvështrimin, na e lartëson shpirtin, na e zgjon syrin e zemrës dhe na e vë në veprim imagjinatën.
Rreziku më i madh që kërcënon qytetërimin perëndimor është nihilizmi, të cilin Heidegger-i e përkufizon si harrim i Qenies (f. 163). Njeriu i të sotmes, i cili e ka humbur shpirtin dhe është makinizuar, i cili ka kaluar nga homo sapiens në homo digitalis, pretendon se nuk ka nevojë për dije/urtësi dhe ndërgjegje, por për numra, kode dhe algoritme, po rrokulliset drejt një tëhuajësimi të frikshëm ndaj vetes, universit dhe Qenies. Për ta zbuluar Qenien dhe kuptimin e saj nuk na nevojiten pajisje më të sofistikuara rreze X-i, teleskopë, satelitë, kamera, superkompjuterë, big data apo inteligjencë artificiale, por të bëjmë pyetjen: “Çfarë është Qenia?”
Njeriu bashkëkohor i pushtuar nga imperializmi digjital, e ka braktisur modalitetin e “mendimit meditativ” (meditative thinking) dhe e ka zbatuar atë të “mendimit llogaritës” (calculative thinking). Rjedhime të këtij këndvështrimi të shtrembër dhe të tekno-civilizimit me vulë amerikane që përbën kulmin e metafizikës materialiste moderne, janë McDonald-izimi, Coca-Cola-zimi, Apple-zimi, Barbie-zimi, Facebook-izimi dhe YouTube-zimi. Këto simbole të tekno-hedonizmit që ofrojnë uniformizim, kënaqësi dhe argëtim të çastit, nuk e zgjidhin dot problemin e kuptimit dhe qëllimit; e mbushin njeriun dhe jetën e tij me gjërat e krijuara por e zbrazin nga Zoti, duke e çuar deri në pikën e vetëshkatërrimit. Sipas Heidegger-it, qytetërimi perëndimor e ka humbur rolin që mund ta luante në historinë e Qenies. Një qytetërim që ka humbur shpirtin është i dënuar t’i thahet kurmi. Evropa, në verbërinë e saj shkatërrimtare, po ia pret gurmazin vetes. (f. 224)
Sipas tij, ndër kombet evropiane, ai gjerman është i ngarkuar me detyrën historike dhe ontologjike për të shpëtuar nga burgu metafizik dhe për të rikthyer të vërtetën dhe dritën e Qenies. Ndërkohë thekson se s’mund të na bëjë mbinjerëz epoka dhe botëkuptimi i saj që s’ofron jetë njerëzore, që e sociologjizon dhe psikologjizon filozofinë.
Kjo vepër, përveç e filozofisë, është edhe dritare e mendimit politik, atij islam, e diplomacisë intelektuale (Beyhan, 2025), e debateve mbi qytetërimet… Leximi i saj është përjetim i një “teksti simfonik” me thellësi e porosi të veçanta.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.