Qendra e Kulturës “Koço Racin” në Kërçovë organizon koncert për nder të mërgimtarëve
Sonte (28 dhjetor) me fillim nga ora 18:00, Qendra e kulturës “Koço Racin” Kërçovë, me rastin e festës së Vitit të Ri si dhe me ardhjen e mërgimtarëve, organizon koncert festiv me këngë dhe valle popullore shqiptare, transmeton Portalb.mk.
Në këtë koncert do të interpretojnë artistët e rinj të shkollës së valleve popullore shqipe në kuadër të Qendrës së Kulturës Kërçovë me koreografi të përgatitura nga Xheneta Zeneli dhe Avni Zeneli.
Mysafirë special do të jetë Ansambli i këngëve dhe valleve “Emin Duraku”-Shkup.
Me këngë do të paraqiten talentët e rinj:
Isra Elmazi, Anila Mahmudi, Sidorela Lutfiu, Rejana Dervishi, Afije Ademi, Sara Ramku dhe Elmir Begzati, kurse në çifteli dhe kavall do të interpretojnë Matiana Limani dhe Altin Ramadani.
Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Emin Duraku” edhe kësaj radhe do të shpalosë krijimtari të larmishme të koreografive që i kanë në repertor, valle nga të gjitha viset shqiptare. Artistët valltarët do ta magjepsin edhe kësaj radhe skenën që do ta kenë përpara, program që do ta pasurojnë edhe më tej xherdanin e artë të traditës tonë të paraqitjeve me vlerë të lartë skenike.
Ky koncert mbështetet nga Ministria e Kulturës së RMV-së.
