Putin tha se bisedimet e mundshme me Ukrainën mund të mbahen në Sllovaki

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë të enjten se kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, e ka njoftuar se Sllovakia është e gatshme të jetë nikoqire e bisedimeve të mundshme për paqe mes Moskës dhe Kievit, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Putini tha për media se Fico theksoi gjatë një takimi me të rishtazi se “nëse ka bisedime, [sllovakët] me kënaqësi do ta ofronin vendin si platformë”.

Shumica e kushteve për paqe që i ka sugjeruar deri tani Putini, janë cilësuar si të papranueshme nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Fico është njëri nga liderët e pakët evropianë me të cilët Putini ka ruajtur marrëdhënieve miqësore prej se Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Sllovakia shihet si një nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian nga Evropa qendrore dhe lindore që ngurrojnë ta përkrahin Ukrainën dhe mbështesin fillimin e bisedimeve me Rusinë.

Zelensky vazhdimisht e ka kritikuar Sllovakinë, e cila kufizohet me Ukrainën, për shkak të tonit miqësor të Ficos karshi Rusisë prej se u kthye në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2023.

Putini ka thënë vazhdimisht se Rusia është e hapur për bisedime për t’i dhënë fund konfliktit me Kievin, por se gjithsesi do t’i arrijë synimet e veta në Ukrainë.

Putini tha të enjten se Rusia mund ta përdorë përsëri raketën e re hipersonike balistike, me rreze të mesme veprimi, e njohur si Oreshnik, por se nuk është për ngut.

“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë për ta përdorur atë sot dhe nesër, nëse është e nevojshme”, tha Putin.