Qendra e Kulturës në Tetovë, sonte organizon koncertin vjetor folklorik me Sh.K.A.SH “Xheladin Zeqiri”
Qendra e Kulturës në Tetovë, sonte (27 dhjetor) në Sallën e madhe të Qendrës për Kulturë Tetovë, me fillim nga ora 19:00, organizon koncertin vjetor folklorik me Sh.K.A.SH “Xheladin Zeqiri”, transmeton Portalb.mk.
Shoqata kulturore artistike “Xheladin Zeqiri” do të ngrejë siparin e kësaj mbrëmjeje festive, ndërsa mysafirët special, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Ibe Palikuqi”, do të sjellin një spektakël unik që nderon trashëgiminë e pasur kulturore shqiptare.
Ky koncert është një mundësi e shkëlqyer për të bashkuar artdashësit vendas dhe të gjithë mërgimtarët që ndodhen në vendlindje gjatë festave të fundvitit.
Jeton Pustina, udhëheqës artistik i koncertit për Portalb.mk tha se do të paraqiten me një program të përzgjedhur me këngë dhe valle, që do ta kënaqin shijen e publikut tetovar.
“Në vazhdën e aktiviteteve të shënimit të 75 vjetorit të SHKASH “Xheladin Zeqiri”, sonte shfaqim koncertin tradicional që ky institucion për çdo vit e organizon në nder shoqërisë tonë. Do të interpretojnë grupi i grave “TEUTA”, solistet Anita Aziri, Ëmbla Saiti, Viola Sherifi si dhe dy grupe të valltarëve, grupi i fëmijëve dhe ai i të rinjëve që do të jenë nën udhëheqjen e prof. Albin Ajredinit”, tha Pustina.
Pustina shtoi se si mysafir special i koncertit do të jenë anëtarët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Ibe Palikuqi” nga Shkupi, me të cilët kanë mardhënie të shkëlqyera. Duke respektuar edhe jubileun e tyre të 45 vjetorit, ata kanë vendosur ta ftojnë këtë shoqëri që është simbol i kulturës shqiptare jo vetëm i qytetit të Shkupit por edhe më gjërë. Ata do të paraqiten me dy valle.
Pustina tha se ky vit ka qenë i pasur me aktivitete të ndryshme kulturore si në vend ashtu edhe jashtë vendit.
“Ky vit u karakterizua me koncertin madhështor të nëntorit, i titulluar “75 vjet Histori, Traditë, Kulturë”, koncert ku u mblodhën shumë gjenerata që kanë dhënë kontribut ndër vite dhe i cili mund të thuhet lirisht se ishte një ndër organizimet me nivelit më të lartë që shoqëria jonë është paraqitur ndonjëherë. Kemi pasur paraqitje edhe në shumë qytete tjera por edhe pjesmarje në festivale ndërkombëtare si në Itali dhe Turqi”, tha Pustina.