Në përvjetorin e tretë të pushtimit rus të Ukrainës, dikush bën që Evropa ta humb rrugën në oborin e vet. Pikat historike në kryeqytetet evropiane ishin ndriçuar me blu dhe të verdhë për nder të Ukrainës, ndërsa në Kombet e Bashkuara SHBA votuan kundër një rezolute që dënonte agresionin rus. Evropa ndjehet e tronditur që Amerika jashtë logjikës ka ndryshuar anë. Fakti që SHBA-të do të ishin në të njëjtin kamp me Rusinë dukej si një gjysmë e vërtetë nga ndonjë ëndërr me tmerr, por me një konfuzion se në cilën anë ishte njëra apo gjysma tjetër! Në Kombet e Bashkuara, SHBA e gjejnë veten përkrah Rusisë, Koresë së Veriut dhe Iranit! Ajo madje u përpoq të minonte rezolutën që dënonte agresionin rus kundër Ukrainës. Vetëm tre muaj më parë, kjo mund të ishte vetëm një lloj makthi nga një ëndërr e keqe. Tani është realitet se Shtetet e Bashkuara, të paktën kjo administratë, janë totalisht në anën e Rusisë dhe të ndeshur me Evropën.
Samiti i NATO-s është në qershor dhe shumë liderë perëndimorë s’do dinë çfarë të fjasin! Ndoshta ata do bëjnë vajtime në kor! Do të ishte mirë që ata të thoshin publikisht dhe qartë se Evropa tanimë ka nevojë për pavarsi në mbrojtje. Por, kjo kushton shumë para në një situatë ku ekonomitë evropiane po luftojnë me mullinjtë e erës.
Vlerësohet se Evropa ka nevojë për qindra mijëra trupa të reja dhe të paktën 260 miliardë dollarë më shumë në fonde të mbrojtjes për të penguar Rusinë pa mbështetjen amerikane. “Udhëtimi falas” ka përfunduar për Evropën, tha Sir Alex Younger, ish-kreu i shërbimit të inteligjencës britanike MI6, në një intervistë për BBC. “Trump është aty ku pritej” tha ai, por ka një ndryshim të madh midis aleatëve për të kontribuar më shumë në aleancë! Këtu, çdo justifikim i ngjan dekoltesë së një gruaje që përpiqet të mbulojë aq sa të zbulojë gjithçka. Shumë pyetje të sinqerta u pasuan nga përgjigje të pasinqerta. Megjithatë, Younger ofron një vlerësim disi më optimist për aftësinë e Evropës për të mbushur boshllëkun e mbrojtjes. “Ne nuk duhet të shqetësohemi shumë, sepse jemi 10 herë më të pasur si NATO evropiane se Rusia”, tha ai. Në fund të fundit, Evropa përzmadhon frikën nga Rusia. Ajo ka tre vjet që lufton një Ukrainë të dobët dhe mezi ka arritur të depërtojë 70 kilometra në territorin e saj. Në vitin 1968 Rusia pushtoi Çekosllovakinë e atëhershme brenda një nate, kurse 12 vjet më parë shkeli për toke Hungarinë e Orbanit për 2 ditë. Tani Evropa është shumë më e fortë si ekonomikisht ashtu edhe ushtarakisht se Rusia. Por, gjithsesi, mbetet pyetja, seme çfarë kostoje do t’i mbijetojë një tranzicioni të tillë një aleancë e mundshme evropiane?
Për një kontinent që është mësuar me paqen kryesisht nën ombrellën amerikane, këto janë sfida të thella. Por, ndërsa ekipi i Trump i kthehet Indo-Paqësorit dhe Macron pranon se “Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi”, pyetja nuk është më nëse do të ndodhë pavarsimi strategjik evropian, por sa shpejt mund të arrihet dhe me çfarë kostoje! Adoleshenca ushtarake e Evropës përfundon papritur. Presidenti francez Macron shkoi në Shtëpinë e Bardhë me një mendim dhe u kthye me një tjetër. Kryeministri britanik Starmer dukej më real në shpëtimin e aleancës transatlantike. Macron vazhdimisht me ankth përmendte atë “aleancë Atlantike” dhe atë “miqësi” me SHBA-në. Dukej si një “lëpirje” e përulur atyre faqeve të mëdha të Trump-it, ndërsa ai dukej jashtë interest për fjalët që dëgjonte!
Edhe Christine Berzina, drejtoreshë e “Geostrategy North” në Gjermani, komentoi faktin se njerëzit nuk janë të sigurt nëse SHBA do të qëndrojnë pranë aleatëve dhe miqve të saj. “Rusia e bëri të qartë se i sheh Shtetet e Bashkuara si një kundërshtar kur e portretizoi luftën e saj në Ukrainë si një luftë kundër NATO-s”. “Por pavarësisht kësaj, Trump dhe përfaqësuesit e tij po përdorin retorikë shumë të butë dhe, për më tepër, po i ofrojnë Rusisë mundësi të paprecedentë ekonomike”, thotë ajo!
Por Trump beson fort në thënien e Benjamin Franklin se nuk ka një luftë e mirë dhe një paqe e keqe. Kështu që Macron duhej të performonte një balet të përpunuar diplomatik, duke qëndruar pranë Trump-it në “dhomën lindore” të Shtëpisë së Bardhë. Ai në një moment iu drejtua Trump-it: “i dashur Donald” dhe vazhdoi: “Paqja nuk duhet të duket si dorëzim të Ukrainës”. Ai donte të thoshte se paqja vjen përmes mirëkuptimit, jo përmes imponimit dhe shfrytëzimit! Por Trump foli më shumë për “marrëveshjet transaksionale”, madje duke përmendur se ai mund të vizitojë Moskën nëse do arrihej një marrëveshje paqeje, duke e bërë atë presidentin e parë të SHBA-s që viziton Rusinë në më shumë se një dekadë. Kjo do të ishte një fitore e madhe diplomatike për Putinin.
Por pakënaqësia po zien edhe brenda vetë Shteteve të Bashkuara. Po zien si në Senat ashtu edhe në Kongres! Senatori i Luizianës, John Neely Kennedy, komentoi: “Të lavdërosh Putinin është vrasësin masiv Jeffrey Dahmer ta quash Nënë Tereza”. Nëse do të ndodhë një takim me Putinin, atëherë do shpërbëhet me dekada e ndërtuar doktrona: Shtetet e Bashkuara si mbrojtëse e një rendi global të bazuar në vlera dhe parime, dhe Rusia si shkelëse e këtyre rregullave – thonë edhe republikanë të shumtë.
Konkluzionet se e gjithë kjo synon të prishë BRICS-in, i cili është një kërcënim i madh për dollarin amerikan, dhe rrjedhimisht për të gjithë ekonominë amerikane, nuk janë të pabaza. Për dekada, SHBA kanë punuar për të krijuar një distance midis Moskës dhe Pekinit. Edhe udhëtimi i Niksonit në Kinë në vitin 1971, pas të cilit Kina mori vendin e OKB-së në vend të Tajvanit, flet për këtë.
Luftë për minerale të rralla
Thuhet se luftërat e para u zhvilluan për terrene të gjuetisë, pastaj për tokën bujqësore, më vonë për lundrimin detar, më pas për kolonitë dhe burimet energjetike dhe në fund tani për mineralet e rralla. Është konstatuar se Kina ka rezervat më të mëdha të mineraleve të tila (rreth 62% të rezervave botërore), e ndjekur nga Ukraina me rreth 16%, Grenlanda me mbi 7%, etj. Teknologjia moderne, veçanërisht ajo inteligjente, nuk mund pa to. Komisioni Evropian e konsideron Ukrainën si një furnizues të rëndësishëm global të titanit dhe një burim të mundshëm të më shumë se 20 lëndëve të tilla.
Ukraina është e njohur për rezervat e saj të metaleve të rralla, të cilat janë thelbësore për ekranet, dronët, turbinat e erës etj. Trump ka theksuar veçanërisht dëshirën e tij për metale të rralla dhe ka kërkuar një marrëveshje për të marrë mineralet në këmbim të ndihmës amerikane për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë. Pasoj grindja publike që pamë!
Bota po ndryshon dhe bashkë me të edhe prioritetet gjeopolitike. Tani trupat amerikane po përpiqen të përqendrohen në Paqësorin, Oqeanin Indian, Amerikën e Jugut, etj. Evropa e ekzagjeron frikën nga vetmia. Gjegjësisht, dihet se frika është dhjetë për qind e asaj që na ndodh dhe nëntëdhjetë për qind e asaj se si reagojmë ndaj saj. Dihet se vetëm kohët e vështira mund të krijojnë liderë të vërtetë.
Ballkani po zien!
Në Serbi, protestat e studentëve tashmë po i ngjajnë një kryengritjeje masive. Miku i qeverisë sonë Milorad Dodik, i cili gjithmonë ka punuar për shkëputjen e Republika Srpska nga Bosnja dhe Hercegovina, mori një dënim me burg dhe një ndalim politik. Shumë politikanë ballkanas nuk mund ta kuptojnë ende se logjika e Trump-it si biznesmen është shumë kundër tensioneve dhe luftërave, sepse ato dëmtojnë biznesin ku qëndron shpirti i tij. Si ta bëni këtë, ju jeni kundërshtari i tij. Dodik festoi me “skarë” kur Trump fitoi, por menjëherë pas kësaj, pjekja i ngeci në fyt! Edhe shumë të tjerë që kishin festuar, tani nuk ndihen mirë. Duket se ai nuk i pëlqen ndjekësit nga interesi individual. Këte e ka kuptuar edhe Orbani.
Këtu përfshihet edhe udhëheqja e Maqedonisë, e cila provoj “partneritetin strategjik” me SHBA-në në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ky shtet çuditërisht dhe njëanshëm po e dëshmon “partneritetin strategjik” me SHBA-në në një kohë kur as Britania e Madhe, një aleate shekullore e SHBA-ve nuk po e bën këtë. E kemi të vështirë ta kuptojmë atë thënien turke që nuk duhet ta matësh me agallarët se do të mbetesh pa te! Politika e suksesshme nuk bëhet me servilizëm ndaj më të fortit, por me aftësinë për të ditur deri ku mund ta ndjekësh, sepse është e qartë se ujërat e egra janë shumë të rrezikshme për notarët e vegjël dhe të dobët.
Edhe Kosova ndihet e lënë pas dore, para së gjithash për shkak të mendjes së mbyllur të Kurtit. Ai nuk mund ta kuptojë se truri është si një parashutë që funksionon vetëm nëse është e hapur. Një mendje e mbyllur është njësoj si një parashutë e mbyllur, por ndryshimi është se te mendja e mbyllur pasojat fatale nuk janë individuale, por masive! Është e rrezikshme kur nuk mbështetesh në forcën e vërtetë që ke, por në atë që po dëshiron! Ndonjëherë arrini atë që dëshironi, duke humbur çdo gjë tjetër.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.