Punonjësit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve thonë se nuk kanë qenë të njoftuar për largimin: Përballemi edhe me presione
Ka vazhduar debati dhe akuzat lidhur me mbarimin e kontratave të 34 punonjësve të Ansamblit të këngëve dhe valleve shqipe. Artistët sot mbajtën pres konferencë në të cilën sqaruan për mediat dhe publikun qëndrimet dhe kërkesat e tyre. Siç shprehen ato, në asnjë moment nuk kanë qenë të njoftuar për largimin, ndërsa përballen edhe me presione. Drejtori i Ansamblit paraqitjen e artistëve para mediave e konsideroi “cirkuz”, njofton Portalb.mk
Artistët të cilëve u ka mbaruar kontrata e punës mbajtën takim ku iu drejtuan mediave e përmes tyre qytetarëve dhe organeve kompetente që mund të ndikojnë në zbutjen e situatës.
Po bëhen gati 10 ditë që janë të ç‘lajmëruar nga puna dhe sipas drejtorit të tyre Shkodran Tolaj, kjo gjë nuk ka qenë e mundur të parandalohet pasi Qeveria e re nuk ka lejuar hapjen e konkurseve.
Në debatin rreth kësaj problematike janë shprehur njerëz të ndryshëm mes tyre dhe juristë si Florian Nesimi i cili shprehet i bindur se konkursi ka mundur të hapet pasi nuk bëhet fjalë për vende të reja pune, por vazhdimësi e kontratave ekzistuese.
Artistët thonë se kanë presione, kërcënime, por se ata nuk do të dorëzohen përballë këtyre pengesave.
Ata pyesin se përse duhet t’i nënshtrohen audicionit, kur institucini në fjalë nuk ka mbajtur audicion çdo tre vite siç parasheh ligji për kulturë.
“Drejtorin e mbajmë përgjegjës për shkaktimin e mjegullës në rastin tonë. Në asnjë moment ne nuk kemi qenë të informuar se çka do të ndodhë me punësimet tona. Ne kur e kemi nënshkruar kontratën e parë, ajo kontratë vetëm është vazhduar. Ne nuk e kemi ditur se do të vijë dita kur do të na ndërpritet kontrata. Kemi kërkuar shumë herë takim me drejtorin për sqarimin e gjithçkaje, por le që nuk kemi pasur takim, por është shkaktuar mjegull edhe më e madhe dhe ne kemi ndenjur pezull se çka do të ndodhë. Neve nuk na ka ardhur asnjë dokument as para çlajmërimit as pas çlajmërimit dhe ne e marrim vesh shumë ditë më vonë se ne nuk jemi të punësuar”, thotë Vullnet Neziri, ish pjesëtar i Ansamblit.
Katrahura tjetër që ka ndodhur me kontratat, thonë të larguarit nga Ansambli, është se kanë katër data të ndryshme. Data e nënshkrimit të marrëveshjes për punë, data e lajmërimit dhe data e çlajmërimit, si dhe një datë tjetër. Kjjo nënkupton se ata mund të kenë punuar edhe me kontrata të skaduara.
Më poshtë po ua përcjellim reagimin publik të artistëve përmes konferencës për shtyp:
“Edhe pse politika është ajo që formon institucionet, nuk do të thotë që ajo i bën edhe artistët, sepse ne jemi këto që jemi falë kontributit personal në zhvillimin tonë profesional, për tu takuar në një institucion siç është ansambli. Kemi qenë kompakt dhe të tillë kemi qëndruar në punë në kushte të jashtëzakonshme në një hapësirë pa ngrohje në dimër dhe pa ftohje në verë, në një hapësirë ku me vetiniciativë kemi pastruar dhe kemi shërbyer në rregullimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave tona në mungesë të stafit përgjegjës, me qëllimin e vetëm që përfaqësimi i popullit që i përkasim të jetë i denjë ,ashtu siç kemi ndjerë se duhet përfaqësuar, me shumë krenari dhe dinjitet. Kemi punuar 8 deri në 12 orë pa asnjë ditë pushimi, dhe kemi sjellë medalje e çmime të para në gara ndërkombëtare duke i mahnitur të huajt me pasurinë tonë folklorike, kombëtare siç janë: veshjet, vallet, këngët, etj. Si institucion relativisht i ri, me përvojë 6 vjeçare, sukseset tona janë të mëdha falë këtyre 33 artistëve të cilët në vend të një lëvdate apo shpërblimi për sukseset e tyre po marrin vendimet e largimit nga puna.
Kemi net të tëra që nuk flemë dhe e mendojmë hallin e njëri-tjetrit pasi ne më shumë kemi kaluar kohë me njëri-tjetrin se me familjet tona, jemi thuajse si familje e dytë. Mes nesh ka njerëz që këtë punë e kanë të vetmin burim ekzistence, ka grua shtatzënë që humb pushimin e lindjes me pagesë, thuajse të gjithë ne mbijetojmë me kredite, dhe ky ç’ lajmërim i 33 artistëve nga puna lëre që është i pajustifikueshëm por dhe nga aspekti moral njerëzor është i padrejtë. Drejtuesi ynë, i pari i kësaj shtëpie, në vend që të kujdeset për ata që drejton, vazhdon me paraqitjet sikur nuk ka ndodhur asgjë, sepse ai është i punësuar është drejtor, edhe pse ato që drejton i ka lëshuar në mëshirën e fatit pa shprehur pikë keqardhjeje ose sensibilizimi (se edhe ashtu do ta ndërrojnë) të paktën të jepte dorëheqje.
Jemi përpjekur të kuptojmë pse jemi të ç’ lajmëruar, në mesin e shumë gjërave flitet për një ligj që i detyron institucionet për audicion dhe me të cilin dëshiron të nxirret drejtori i 3 të punësuarve (sepse aq janë për momentin aktiv në këtë ansambël), ta zëmë që ekziston ky ligj edhe pse nuk ka logjikë se ne veç e kemi kaluar audicionin kur jemi pranuar dhe si krejt institucionet tjera është dashur dhe ne t’i nënshtrohemi riaudicionit. Sidoqoftë, ende nuk arrijmë të kuptojmë se si ky “ligj” paska funksionuar vetëm për ne; vetëm ne e pësuam nga ky “ligj”, mbase sepse kurthet gjithnjë bien mbi ata që nuk kanë faj dhe që nuk kanë lidhje të forta me politikën. Kemi trokitur nëpër disa dyer institucionesh dhe akoma askush nuk na ka dhënë një përgjigje ku fshihet fajtori, ku është bërë gabimi, kush nuk na do neve në atë ansambël?! Secili nga ne ka mundur të vendosë si zgjidhje ikjen jashtë shtetit, për përfitime më të majme me profesionet tona, por as momentet si këto kur themi “këtu s’ka shpresë” nuk na zmbrapsin dot, pasi ne kemi vendosur të qëndrojmë artistë deri në fund, duke e kërkuar atë që na takon dhe apelojmë publikisht që lojërat e politikës ditore mos bien mbi kurrizin tonë.
Kërkojmë unanimisht angazhimin e Ministrisë së Kulturës dhe Financave, po ashtu dhe të qeverisë, që të kthehemi sa më parë në punë dhe të mos detyrohemi ne si artistë të bredhim duke protestuar rrugëve dhe para institucioneve përkatëse. I bëjmë thirrje politikës aktuale dhe të gjithë organeve kompetente që të mos jenë indiferent ndaj problematikës sonë sepse çdo dështim i joni është edhe i tyre ashtu si çdo e arritur e jona është edhe e tyre për arsye se vetëm duke ndihmuar njëri-tjetrin mund ta çojmë vendin përpara”.
Drejtori i Ansamblit, Shkodran Tolaj sot përmes një reagimi tha se reagimet e punonjësve janë të nxitura politikisht, madje ai paraqitjen e artistëve para mediave e quajti “cirkuz”, ndërkaq akuzoi edhe disa media.
“Edhe njëherë u them shkoni çkado që keni denonconi në organe përkatëse kurse problemin e punësimeve duhet ta zgjidhë Qeveria definitivisht dhe tashmë jeni të bindur se ky problem nuk është vetëm në ansambël por në gjithë shtetin! Para ligjit të gjithë jemi të barabartë… Pas tërë kësaj cirkuziade është partia “Besa” dhe zëvendësministri i kulturës i cili në takim me të më ka potencuar “do bëhet e madhe- jep dorëheqje””, tha Tolaj.
Për këtë problem Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve popullore shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka hedhur fajin deri te Qeveria e Maqedonisë së Veriut në lidhje me largimin nga puna të 34 artistëve. Nga atje theksuan se konkursi nuk është publikuar për shkak zgjedhjeve të majit.
“Pas krijimit të Qeverisë, është përgatitur konkursi por me vendim të qeverisë së re janë anuluar vendimet e Ministrisë së Financave për punësime në të gjitha institucionet shtetërore! Si rezultat i këtij vendimi nuk është e mundur që të shpallet konkurs për punësim në ansambël pa marrë ripëlqim nga Ministria e Financave”, deklaruan nga Ansambli.
Portalb.mk për këtë problematikë pyeti Qeverinë dhe Ministrinë e Financave, por deri ne publikimin e këtij shkrimi s’ka përgjigje.
Zëvendësministri i kulturës, Sedat Sulejmani, premtoi që nga e hëna do të angazhohet për zgjidhjen e këtij problemi, duke theksuar që fillimisht do të hapet konkursi për kontrata me afat të caktuar.
“Jam duke punuar intenzivisht në këtë drejtim. Prej ditës së hënë do ta dërgoj pëlqimin në Ministrinë e Financave dhe shpresoj që në afat sa më të shkurtë kohor do ta zgjidhim këtë problem”, deklaroi Sulejmani.
- LEXO: Reagoi Ansambli rreth largimit të 34 artistëve nga puna, zëvendësministri Sulejmani premtoi zgjidhje
Ndryshe, faqja e Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqipe në Maqedoninë e Veriut më 2 gusht ka nxjerrë performancë “live” për festën e Ilindenit me disa artistë që, nuk janë pjesë e Ansamblit. Kaq ka mjaftuar që artistë nga ky institucion, të cilët tashmë figurojnë si të papunë, të shpërthejnë në rrjetet sociale. Ata kërkojnë kthimin e të gjithë artistëve në punë dhe llogari nga drejtori i këtij institucioni, Shkodran Tolaj.
Ndryshe, Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut është themeluar në mbledhjen e 57-të të Qeverisë më 6 mars 2018 si institucion kombëtar i kulturës shqiptare.
Fillimet e para të konsolidimit të tij nisën me shpalljen e audicionit për pranimin e stafit artistik në maj të vitit 2019. Në këtë audicion, përzgjedhja e artistëve u bë nga emra kompetentë të muzikës shqiptare nga të gjitha trevat tona dhe në bazë të vlerësimeve të tyre u përzgjodhën artistët aktual që përbëjnë: sesionin e valles prej 20 valltarëve, formacionin orkestral prej 9 instrumentistëve dhe sesionin vokal prej 8 solistëve. Koncerti i parë me program dhe kapacitet vetanak por i punuar edhe me angazhim të koreografëve dhe muzicientëve më të mirë shqiptar është mbajtur me 16 nëntor 2019 në Tetovë, në prani të qindra spektatorëve.