Takimi Mickoski-Kurti: Të ruajmë marrëdhëniet e mira fqinjësore, bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka pritur në qeveri kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, me të cilin ka zhvilluar takim tete a tetë. Dy kryeministrat folën për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe mbështetjen në rrugën eurointegruse të të dy vendeve, transmeton Portalb.mk.
Kryeministri Mickoski tha se synimi i Qeverisë së re është të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët. Gjithashtu, kryeministri tha se është theksuar bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve.
Mickoski theksoi se në këtë moment, sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, këmbimi për vitin 2023 është në nivelin e gjysmë miliard euro.
“Dhe nuk shoh asnjë arsye pse, me përpjekjet e të dyja qeverive, ky shkëmbim të mos jetë edhe më i madh. Me ndërtimin e projekteve infrastrukturore, autostradën që do të lidhë pikën kufitare me kryeqytetin tonë, drejtimin potencial rrugor që do të lidhë Tetovën me Prizrenin e kështu me radhë, prioritete që janë shumë të rëndësishme. Në të njëjtën kohë hapëm temat që janë të rëndësishme për të dyja vendet në planin politik. Nga aspekti i mbrojtjes dhe sigurisë, vazhdojmë të kemi bashkëpunim të mirë, mezi presim që të funksionalizohen pikat e përbashkëta kufitare, veçanërisht në Elez Han dhe Bllacë, të cilat do të lehtësojnë qarkullimin e udhëtarëve dhe qytetarëve tanë. Ne mbështesim forcimin e bashkëpunimit, veçanërisht në zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për bashkëpunimin ushtarak”, tha Mickoski.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga ana tjetër, tha se do të punojnë së bashku me Qeverinë e re për të forcuar bashkëpunimin dypalësh të bazuar në besim dhe interesa reciproke
“Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut kishin marrëdhënie të mira dypalëshe për vendosjen e vlerave të përbashkëta dhe fokus të veçantë në integrimin evropian. Ne besojmë në përpjekjet e Maqedonisë së Veriut dhe mbështetjen e tyre për integrimin evropian dhe dëshirojmë që negociatat për anëtarësim në BE të fillojnë sa më shpejt. Dy vendet tona kanë pasur bashkëpunim dypalësh në të gjitha fushat nga pikëpamja diplomatike, mirëpresim përpjekjet e vazhdueshme për të mbështetur integrimet tona në integrimet ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin Evropian dhe në NATO”, tha Kurti.
Kurti është i shoqëruar nga ministrat e kabinetit qeveritar.
Vizita e Kurtit vjen pak ditë pas incidentit të presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit, ku Presidenca tha se iu kërkua të skanohej telefoni i saj nga stafi i aeroportit. Presidenca kishte reaguar ndaj këtij incidenti. E po ashtu Kosova dërgoi notë proteste. E reagime pati edhe nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, por edhe nga partitë shqiptare në shtetin fqinj.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë disa projekte të përbashkëta që i kanë filluar, si pikat e përbashkët kufitare “One Stop Shop” dhe rruga ndërmjet Prizrenit dhe Tetovës.
Por, së fundmi dy shtetet kanë pasur edhe çështje të hapura, si arrestimi i ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Shkup dhe incidenti ndaj Vjosa Osmanit në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.
- LEXO: Rruga ndërmjet Tetovës dhe Prizrenit, Kosova ka nënshkruar kontratat për realizimin e punimeve
- LEXO: MPJ e Maqedonisë së Veriut reagoi rreth rastit me presidenten Vjosa Osmani
- LEXO: Ministri Sveçla foli për rastin e ish-luftëtarit të UÇK-së që u arrestua në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: U lirua Blerim Ramadani, ish-luftëtari i UÇK-së i arrestuar në Maqedoninë e Veriut