Maqedonia e Veriut prej sot kryeson me Komunitetin e Transportit

Maqedonia e Veriut sot ka marrë rolin e kryesuesit të Komunitetit të Transportit, i cili më herët ishte nën udhëheqjen e Malit të Zi. Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve (MTL) njoftojnë se gjatë vitit të ardhshëm RMV do të jetë nikoqire e aktiviteteve dhe ngjarjeve që do të kontribuojnë në harmonizimin e politikave të transportit mes Ballkanit Perëndimor dhe Unionit Evropian, transmeton Portalb.mk.

Ministri Boçvarski mori kryesimin nga ministri i Investimeve Kapitale të Malit të Zi, Ervan Ibrahimoviq, në prani të Matej Zakonjshek, kryetar i Sekretariatit të Komunitetit të Transportit.

“Në kuadër të kryesimit tonë me Komunitetin e Transportit, do të vazhdojmë të kryejmë aktivitete që janë me rëndësi për gjithë rajonin si dhe janë pjesë e reformave për lidhshmëri në kuadër të Agjendës për Lidhshmëri. Një nga prioritetet kryesore të kryesimit tonë që ka për qëllim rritjen e niveli të bashkëpunimit, është realizimi i një sërë aktiviteteve me të cilat do të përforcojmë bashkëpunimin rajonal” tha Boçvarski.

Ai gjithashtu theksoi se Komuniteti i Transportit, në afat më të gjatë do të “kontribuojnë për përmirësimin e efikasitetit, uljen e harxhimeve dhe për rritjen e kualitetit të shërbimeve në sektorin e transportit, me anë të hapjes së tregjeve dhe përforcimit të konkurrencës”.

Udhëheqësi i ri i Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjshek tha se Maqedonia e Veriut pritet të vazhdojë punën me intensitet, duke i harmonizuar politikat e transportit sipas legjislacionit të BE-së si dhe duke i koordinuar investimet për përmirësimin e infrastrukturës së transportit. 

“Republika e Maqedonisë së Veriut, si vend nëpër të cilin kalojnë dy korridore kryesore transporti, “Korridori 8” dhe “Korridori 10”, ka potencial të madh për t’u bërë udhëkryqi kryesor i transportit në rajon dhe se qëllimi përfundimtar mbetet që sektori i transportit të Ballkanit Perëndimor të integrohet plotësisht në tregun e transportit të BE-së” tha ai.

Ndryshe, më 1 qershor 2023, filluan punimet për Korridorin 8 i cili shtrihet nga Tetova në Gostivar, vazhdon në Kërçovë dhe në Strugë deri në Qafë Thanë.