Protokolli i dytë me Bullgarinë, shihet si kapitullim për Shkupin zyrtar: A po spinon pushteti mbi dokumentin?

Debati për Protokollin e dytë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është rikthyer në qendër të vëmendjes pas intervistës së presidentes Gordana Siljanovska-Davkova në emisionin “360 Gradë”, ku ajo argumentoi se përfshirja e Komisionit të Përbashkët Historik në Protokoll dhe Kornizën Negociuese paraqet problem serioz për procesin eurointegrues. Megjithatë, gazetari i emisionit, duke iu referuar vetë dokumentit, argumenton se Protokolli nuk përmban formulime detyruese ndaj Komisionit, por vetëm “mbështetje” dhe “inkurajim” për përfundimin e punës së tij. Nga ana tjetër, analisti Selim Ibraimi vlerëson se Komisioni është krijuar për të prodhuar rezultate në frymën e Marrëveshjes së vitit 2017, por paralajmëron se puna e tij mund të keqpërdoret nga politika ditore. Kjo ka hapur dilema nëse presidentja dhe VMRO-DPMNE po e interpretojnë dokumentin përtej asaj që shkruan në të, duke krijuar një perceptim më dramatik për rolin dhe pasojat e Komisionit Historik, megjithëse nuk mund të minohet roli i tij i madh në procesin eurointgrues, shkruan Portalb.mk.

Në intervistën për “360 Gradë”, Siljanovska-Davkova këmbënguli se Protokolli i dytë është vetëm një procesverbal i dy ministrave të jashtëm dhe jo instrument juridik që mund të ndryshojë Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë.

Megjithatë, kur u përball me formulimin konkret të Protokollit lidhur me Komisionin Historik, ajo nuk kontestoi se aty përdoren termat “mbështetje” dhe “inkurajim”, por argumentoi se vetë fakti që këto dispozita janë bërë pjesë e Kornizës Negociuese u jep atyre peshë politike.

Presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Po si mund ta inkurajoni një komision historik? Imagjinoni, disa historianë të shkruajnë, përkatësisht të krijojnë histori të dy shteteve përmes një marrëveshjeje. Kjo është drejtpërdrejt në kundërshtim me logjikën e shkencëtarit”, tha Siljanovska Davkova.

Problemi që ngre gazetari i emisionit “360 Gradë” është se në debatin publik shpesh paraqitet sikur Komisioni Historik ka detyrim të arrijë rezultate të caktuara dhe se këto rezultate janë kusht formal për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Sipas tij, teksti i Protokollit nuk e thotë këtë. Ai thekson se ekziston dallim i qartë ndërmjet formulimeve që krijojnë detyrime juridike dhe formulimeve që shprehin mbështetje politike.

“Fjalia kyçe e mospajtimit thotë: “Të dy shtetet e mbështesin dhe e inkurajojnë Komisionin që ta përfundojë punën për të gjitha periudhat e historisë së përbashkët, të cilat i lidhin dy shtetet dhe popujt e tyre, në përputhje me nenin 8 paragrafi 2 të Marrëveshjes, me qëllim zbatimin e plotë të rekomandimeve të tij në programet arsimore deri në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.” Sipas kolegut Geroski dhe sipas shumë të tjerëve, kjo është mjaft e qartë dhe do të thotë se Komisioni duhet ta përfundojë punën, ndërsa shtetet (Maqedonia dhe Bullgaria) duhet t’i zbatojnë rezultatet. Por teksti nuk e thotë këtë. Në të drejtën, diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, fjalët nuk janë zbukurim. Ato janë thelbi. Nuk është njësoj nëse dikush “pajtohet”, “merr përsipër detyrim”, “garanton”, “pranon”, “do ta zbatojë”, apo “mbështet” dhe “inkurajon”, shkruan gazetari Vasko Popetrevski.

Edhe vetë presidentja, gjatë intervistës, pranoi se është e mundur që Protokolli të interpretohet gabimisht. Kur gazetari i sugjeroi se dokumenti mund të jetë keqinterpretuar në opinion, ajo u përgjigj: “Edhe kjo është e mundur”. Kjo deklaratë bie në kontrast me narrativën që prej vitesh dominon në VMRO-DPMNE, sipas së cilës Komisioni Historik paraqet një mekanizëm të imponimit të historisë maqedonase.

Nga ana tjetër, analisti Selim Ibraimi mendon se Komisioni duhet të prodhojë rezultate. Sipas tij, Komisioni është krijuar pikërisht për të ofruar rezultate konkrete të bazuara në fakte historike dhe për të ndihmuar zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2017. Ai vlerëson se pa protokollet dhe pa punën e Komisionit, dialogu mes dy vendeve humbet kuptimin e tij praktik. Megjithatë, edhe Ibraimi paralajmëron se politika ditore mund ta instrumentalizojë punën e Komisionit dhe të ndikojë në interpretimin e rolit të tij.

“Komisionit i Përbashkët Multidisiplinar për Çështje Historike dhe Arsimore mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e ka të vështirë që të përfundojë me sukses misionin. Takimi i radhës në shtator besoj se do të jetë i ndikuar nga politika në të dyja vendet dhe jo nga dokumentet dhe ngjarjet historike. Takimi i fundit siç dihet dështoi, pasi pala maqedonase refuzoi të nënshkruante rekomandimet për paraqitjen e Kryepeshkopatës së Ohrit në tekstet shkollore për klasën e shtatë. Komisioni që del nga Marrëveshja me Bullgarinë e vitit 2017, në fakt jep rekomandime, por në realitet të gjitha sugjerimet duhet të debatohen brenda anëtarëve të Komisionit që më vonë duhet të bëhen pjesë të marrëveshjes përfundimtare për të hequr bllokadën bullgare. Komisioni është në shërbim të Marrëveshjes së gushtit 2017 e cila duhej të ishte mbyllur qysh moti. Mirëpo, ky Komision nuk ka arritur që të pajtojë të dyja palët për çështjet e hapura historike, identitare e kulturore. Dhe sipas atmosferës politike në MV dhe në Bullgari i njëjti Komision merr misione të ndryshme. Komisioni është dizajnuar që në bazë të dhënave historike dhe të mbështetura në fakte të prodhojë rezultate konkrete për të dyja palët-shtetet. Përndryshe, Komisioni, puna e anëtarëve aty mund të keqpërdoret nga politika ditore”, thotë Selimi.

I pyetur se a ekziston dallim mes asaj që shkruan në Protokoll dhe mënyrës se si ai është prezantuar nga aktorët politikë gjatë viteve të fundit, Selimi nënvizon se Protokolli është i qartë dhe në funksion të fqinjësisë së mirë duke sqaruar kushtet dhe mënyrën se si duhet të procedohet.

“Në rast se të dyja delegacionet nuk ju përmbahen dokumenteve të nënshkruara, sigurisht se sipas dëshirës apo inateve të qeverive mund të paraqitet ndryshe në të dyja vendet”, thotë Selimi.

Selim Ibraimi
Selim Ibraimi

Sipas Selimit, nëse keqpërdoret nga palët mund të jetë pjesë e debatit dhe mosmarrëveshjeve në mes dy shteteve.

“Poqese vazhdohet me trendin aktual, nuk besoj se ky Komision mund të nxjerrë në dritë të vërtetat dhe të pavërtetat e problemeve të hapura”, thotë ai.

Lidhur me atë nëse kritikat e pushtetit ndaj Protokollit të dytë bazohen më shumë në interpretime politike sesa në përmbajtjen konkrete të dokumentit, Selimi thotë se ka një tendencë nga qeveria dhe MPJ në Shkup që nga 2024 gjërat t’i shohin më ndryshe, duke vënë në pikëpyetje Marrëveshjen e Fqinjësisë së 2017-ës.

“Pa ekzistencën e protokolleve në realitet bëhet e pakuptimet i gjithë dialogu dhe puna e Komisionit. Qeveria dhe zyrtarë të MPJ-së e shohin Protokollin e dytë si kapitullim. Andaj duhet punuar në këtë fushë për të qartësuar dilemat e qeverisë në Shkup. Do të shtoja se Shkupi nuk është i përgatitur për të bërë më shumë. Kërkon hapësirë për të zhvlerësuar Marrëveshjen e 2017-ës dhe ndoshta blerë kohë në brendi të punës së anëtarëve maqedonas të Komisionit. Në përgjithësi asnjëra palë nuk lëshon pe. Nuk lëvizin nga pozitat nacionaliste”, thekson Selimi.

Dokumentet politike dhe diplomatike, sidomos ato që lidhen me procese komplekse si integrimi evropian dhe marrëdhëniet dypalëshe, rrallëherë janë bardh e zi. Shpesh ato lënë hapësirë për interpretime të ndryshme juridike, politike dhe diplomatike. Kjo vlen edhe për Protokollin e dytë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, për të cilin prej vitesh zhvillohet debat nëse disa dispozita përbëjnë detyrime konkrete apo vetëm orientime dhe pritshmëri politike.

Megjithatë, fakti që një dokument mund të interpretohet në mënyra të ndryshme nuk do të thotë se çdo interpretim ka të njëjtën mbështetje në tekst. Pikërisht këtu lind debati nëse pushteti në Shkup, në disa raste e paraqet Protokollin e dytë në mënyrë më dramatike sesa çfarë del nga formulimet konkrete të dokumentit.

Kujtojmë se marrëdhëniet me Sofjen u ftohën në vitin 2020, kur Sofja vuri veton në kornizën negociuese për vendin për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi gjuhën, historinë dhe pakicën bullgare.

Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u gjet një kompromis, Maqedonia e Veriut pranoi të shtonte komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës, përveç atyre ekzistuese, ndërsa nga ana tjetër, u ruajt formulimi i pastër për gjuhën maqedonase, me Bullgarinë që lëshoi ​​një deklaratë duke shprehur qëndrimin e saj për këtë çështje.

Me një kompromis të tillë, më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në në kuadër të procesit të pranimit. Që të mbahet e dyta dhe që të fillojnë hapjet e kapitujve, parlamenti i Maqedonisë duhet të votojë për ndryshimet kushtetuese. Qeveria aktuale në Shkup, e përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, e cila u formua në qershor 2024, është e mendimit se nuk do të hyjë në një proces të tillë derisa të marrë garanci se nuk do të ketë kushte të reja dypalëshe nga pala bullgare.

Paraprakisht në vitin 2017, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan Marrëveshje për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim.