Protestat vazhdojnë, Perëndimi rrit presionin mbi Kosovën

Protestat në veriun e Kosovës vazhdojnë edhe sot. Protestuesit prej ditësh, protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë. Nga ana tjetër, faktori ndërkombëtar vazhdon të rrisë presionin mbi Kosovën që të ndërpresë ndrëhyrjet e policisë në këtë zonë, transmeton Portalb.mk.

Protestuesit në Zveçan thonë se “duan të punojnë”

Të premten, para protestuesve në Zveçan foli Natasha Aksenitijeviq, nga Autoriteti i Përkohshëm Komunal, i cili punon në sistemin serb. Ai tha se “ata janë penguar të ofrojnë shërbime për qytetarët dhe se janë të rrezikuar”, transmeton REL.

Në ndërtesën komunale në Zveçan, e cila është siguruar nga KFOR-i që nga e hëna, është vendosur kryetari i ri shqiptar ku më parë punohej vetëm sipas sistemit serb .

Serbët atje po protestojnë sepse nuk e pranojnë kryetarin shqiptar, i cili i fitoi zgjedhjet lokale të prillit në Kosovë. Këto zgjedhje komuniteti serb i bojkotoi.

“Ajo që kërkojmë është që forcat speciale të largohen menjëherë nga ndërtesa, që ne të kthehemi në zyrat tona dhe të vazhdojmë punën tonë… dhe të mos vijë ai kryetar fals në Zveçanin tonë se ne nuk e kemi zgjedhur”, tha Aksentijeviq.

Në protestën, e cila ishte më masive sesa ajo e së enjtes, morën pjesë edhe punonjës të arsimit, përfshirë shkollat dhe fakultetet, shëndetësinë, punonjës të organeve të përkohshme dhe institucioneve të tjera publike që punojnë sipas sistemit të Serbisë.

Në emër të mësimdhënësve foli Ana Galjak, mësuese në shkollën e mesme në Zveçan, e cila tha se “të gjithë fëmijët kanë të drejtë për paqe”.

“Kushtet këtu janë të pamundura për punë, të pamundura që fëmijët tanë të qëndrojnë në shkollë”, tha ajo.

Institucionet arsimore në Kosovë në zonat serbe punojnë sipas sistemit serb.

Zeqiri: “Nuk ka kushte pune” në objektin komunal

Izmir Zeqiri, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se në ndërtesën kryesore të komunës së Zubin Potokut nuk ka kushte për punë, prandaj ai vazhdon të ushtrojë detyrën e tij të kryetarit të komunës nga zyra për komunitete në fshatin Çabër.

“Nuk do të na dëboni nga shtëpitë tona”

Disa protestues serbë në Zveçan ngritën pankarta, ku shkruan: “Nuk do të na dëboni nga shtëpitë tona”, apo “Duam paqe, jo gaz lotsjellës e shok-bomba”.

Ata nuk nxorën asnjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tyre për dëbimin.

Protestuesit në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, prej ditësh, protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë.

Murphy kërkon “angazhim agresiv” të SHBA-së në Ballkan

Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Chris Murphy, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen “në mënyrë agresive” në Ballkan dhe fajësoi autoritetet e Kosovës për tensionet aktuale në veri të vendit.

“Ne duhet të angazhohemi në mënyrë agresive në Ballkan për të mbrojtur paqen, sepse tani nuk mund ta përballojmë shuarjen e zjarreve të vërteta në atë rajon”, tha Murphy në një intervistë për National Journal, pas kthimit në Uashington nga një turne ballkanik, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta, prej se Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të tri komunave me shumicë serbe – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – të hyjnë në ndërtesat komunale, më 26 maj, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Revolta e tyre u shndërrua në përleshje të dhunshme me pjesëtarë të misionit të NATO-s, KFOR, më 29 maj.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, fajësoi Qeverinë e Kosovës për veprimet që çuan në “përshkallëzim të tensioneve në veri dhe rritje të destabilitetit”.

Murphy, i cili u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, më 22 maj, u pajtua me Blinkenin se situata mund të ishte zgjidhur me diplomaci dhe jo me forcë.

“Ai nuk duhej të lëvizte aq shpejt me vendimin për t’i marrë ato ndërtesa [komunale]”, tha Murphy.

“Ai mund të priste dhe të përpiqej ta zgjidhte këtë nëpërmjet ndërmjetësve si Shtetet e Bashkuara”, tha senatori amerikan.

Kjo situatë, sipas tij, i dha Rusisë mundësi për të nxitur trazira.

“Rusia luan lojëra në Ballkan. Ajo përpiqet të nxisë përçarje dhe konflikte. Ajo shpreson se do të ketë konflikt në Ballkan, një konflikt real kinetik që do të largonte Shtetet e Bashkuara dhe Evropën nga konflikti në Ukrainë”, tha Murphy.

Murphy tha se shpreson që kur të qetësohet situata në veri të Kosovës, njerëzit ta kthejnë vëmendjen te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.