Protestat e dhunshme në Tiranë, kryeministri Rama anuloi vizitën zyrtare në Austri
Për shkak të gjendjes së jo të zakonshme të shkaktuar në kryeqytet e jo vetëm nga protestat studentore, kryeministri Edi Rama ka anuluar vizitën zyrtare në Austri. Kjo vizitë ishte planifikuar për tu zhvilluar ditën e nesërme, 19 tetor, ku Rama do të pritej në takim nga Kancelari Federal Christian Stocker, raporton Klan.
Revolta shënon gjashtë ditë sot, tensione, përplasje të dhunshme të të rinjve me forcat policore, qindra shoqërime nëpër komisariate. Shtojmë këtu institucione qeveritare të djegura e shkatërruara, biznese, banka të dëmtuara e gjithashtu thyerje të semaforëve, kamerave të sigurisë, djegie të koshave, shkulje të kangjellave e zjarre në mes të akseve kryesore.
Studentë e gjimnazistë nisën bojkotin mësimor që prej datës 13 tetor duke u grumbulluar përpara Ministrisë së Arsimit për të kërkuar përmirësim të kushteve studentore. Kërkesa kryesore është ajo e dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama, pa asnjë negociatë.
Vetë kreu i qeverisë në reagimet e tij, thotë se pas kësaj revolte të dhunshme nuk fshihen studentët, por kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha. Rama është i vendosur për të mos u larguar duke thënë se vetëm ai mund ta përmbushë qëllimin e Shqipërisë për tu anëtarësuar në BE.