Prokuroria rikualifikoi veprën, vetëm dënime me kusht për shtatë personat e përfshirë në sulmin në M-NAV

Gjykata Themelore Penale e Shkupit sot ka marrë aktgjykim në bazë të propozim-marrëveshjes me shtatë persona të akuzuar si bashkëkryerës të veprës penale – Pengimi i zyrtarit në kryerjen e veprës zyrtare. Bëhet fjalë për incidentin në M-NAV, i cili ndodhi më 4 janar të këtij viti, kur tetë persona hynë në zyrat e Navigacionit Maqedonas në aeroportin e Shkupit dhe sulmuan një kontrollor të trafikut ajror, ndërsa më pas Sindikata e kontrollorëve të trafikut ajror “u ngrit në këmbë” për shkak të përzgjedhjes së papërshtatshme të kandidatëve në shpallje për punësime të reja dhe akuzave për partishmëri, transmeton Portalb.mk.

Gjashtë nga të pandehurit janë dënuar me masë alternative për veprën që kanë kryer – me kusht, pra me gjashtë muaj burgim, i cili nuk do të zbatohet nëse brenda një viti e gjashtë muajsh nuk kryejnë vepër të re pasi aktgjykimi të marrë formë të prerë.

Për një të pandehur, i cili ka ndërmarrë veprime më të rënda për pengim të zyrtarit dhe që më parë ka qenë i dënuar për vepër kundër sigurisë publike, është shqiptuar masë alternative – dënim me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse, pra dënim me burg prej dy vjetësh, i cili nuk do të zbatohet nëse në afat prej pesë vitesh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit nuk kryen vepër të re penale dhe në të njëjtën kohë për të pandehurin gjykata ka caktuar detyrime tjera që do t’i nënshtrohen mbikëqyrjes mbrojtëse.

Prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike Shkup i ka lidhur propozim marrëveshjet pas mbledhjes dhe analizës së plotë të materialit dëshmues lidhur me ngjarjen e ndodhur më 4 janar në objektin e M-NAV, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, njoftoi Prokuroria.

“Përkatësisht, gjatë procedurës hetimore janë dhënë deklarata verbale nga punonjësit e M-NAV si dëshmitarë të ngjarjes dhe nga zyrtari i dëmtuar, si dhe raporte për sigurinë e trafikut ajror në momentin kritik nga Agjencia e Aviacionit Civil dhe agjencia ndërkombëtare Eurocontrol. Këto prova nuk tregojnë se në kohën e veprimeve të të pandehurve ka ekzistuar rrezik dhe është kërcënuar siguria e komunikacionit ajror dhe për ato arsye vepra penale nuk ekziston më – Rrezikimi i sigurisë së komunikacionit ajror nga neni 303 i Kodit Penal, për të cilin ka nisur hetimi”, thonë nga Prokuroria.

Nga video materiali i siguruar në hetim dhe nga deklarimet e të dëmtuarit dhe dëshmitarëve, del se vetëm veçoritë e veprës penale – Pengimi i zyrtarit në kryerjen e një vepre zyrtare dhe se në pajtim me paragrafin 3, për të cilën është pezulluar dënimi me burg nga 3 muaj deri në 5 vjet, janë plotësuar. Për këto arsye, prokurori publik kompetent ka kërkuar dhe ka marrë pëlqimin nga Prokuroria e Lartë Publike Shkup për ndryshimin e kualifikimit juridik sipas të cilit është zhvilluar procedura e mëparshme.

“Të ballafaquar me provat e kësaj vepre penale, të pandehurit kanë shprehur gatishmërinë për të lidhur propozim-marrëveshje me prokurorinë dhe për të pranuar aktgjykimin e fajësisë. Gjatë peshimit të sanksioneve të përcaktuara janë vlerësuar individualisht të gjitha rrethanat dhe veprimet e secilit prej të dyshuarve të rastit, mungesa e pasojave të qëndrueshme, si dhe praktika gjyqësore për dënimet për krime të tilla”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Për të dyshuarin e tetë të përfshirë nga hetimi fillestar, procedura është ndërprerë, pasi nuk ka marrë pjesë në veprimet e pengimit të zyrtarit në kryerjen e punës.

Pakënaqësitë në M-NAV kishin nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë kishte paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Qeveria me kërkesë të Sindikatës shkarkoi drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV zyrtarizoi shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre emëroi Hekuran Asanin dhe Milan Koraq. Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.