Prokuroria për aksidentin afër Bllacës: Është kryer inspektim në vendngjarje dhe është urdhëruar autopsi
Prokuroria Publike ka njoftuar se, menjëherë pas ngjarjes tragjike në rrugën nga Pikëkalimi Kufitar Bllacë drejt Shkupit, ku humbën jetën tre shtetas të Republikës së Kosovës, prokurori publik ka kryer inspektim në vendin e ngjarjes dhe ka urdhëruar autopsi të viktimave, transmeton Portalb.mk.
“Menjëherë pas ngjarjes, prokurori publik kreu një inspektim, dha urdhër për autopsi dhe veprime të tjera për sqarimin e plotë të ngjarjes, ndërsa po ndërmerren veprime të mëtejshme hetimore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Tre shtetasit e Kosovës, të raportuar më herët si të zhdukur, u gjetën pa shenja jete në një automjet të përmbysur të markës “Mercedes” me targa gjermane. Viktimat janë identifikuar si Ejup Tërnava, Xhenete Tërnava dhe Fatmire Shabani.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, automjeti u gjet më 19 korrik, rreth orës 22:35, në rrugën nga Pikëkalimi Kufitar Bllacë drejt Shkupit. Ekipet policore konstatuan se në automjet ndodheshin tre persona pa shenja jete, ndërsa vdekjen e konfirmoi ekipi i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore.
Më herët gjatë së njëjtës ditë, rreth orës 13:40, një shtetas i Kosovës kishte raportuar zhdukjen e tyre në Stacionin Policor Bit Pazar. Sipas MPB-së, kontakti i fundit me viktimat ishte regjistruar më 18 korrik, rreth orës 22:15, kur ata ndodheshin në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.