Escobar kërkoi nga opozita maqedonase të mbështesë rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase ka deklaruar se dëshiron të dëgjojë nga opozita është përkushtimi në rrugën e integrimeve euroatlantike, transmeton Portalb.mk.

“Kjo përfshin shqyrtimin e mënyrave për ta sjellë Maqedoninë në Konferencën e ardhshme Ndërqeveritare. Unë do të thoja se besueshmëria e procesit të zgjerimit varet nga Maqedonia e Veriut. Ne kemi një vend që ka bërë gjithçka që është e nevojshme për të kaluar në hapin tjetër dhe mendoj se e meriton hapin tjetër. Mendoj se të gjithë, si brenda Bashkimit Evropian ashtu edhe në strukturat politike të Maqedonisë së Veriut, duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur që kjo të ketë sukses”, tha Eskobar.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.