Projektligji për udhëheqësit e lartë në RMV pa garanci depolitizimi, rrezik edhe për revanshizëm politik
Instituti për Demokraci ka publikuar një dokument të politikave publike me shqyrtim të Projektligjit të ri për drejtuesit e lartë në organet dhe drejtoritë e administratës shtetërore. Edhe pse miratimi i një ligji të tillë parashikohet si masë kyçe në Strategjinë e Reformës së Administratës Publike (2023–2030), analiza tregon se zgjidhja e propozuar nuk krijon depolitizim dhe profesionalizim të konsiderueshëm të shërbimit të menaxhimit të lartë, transmeton Portalb.mk.
Dokumenti vëren disa rreziqe kryesore:
- Lidhja e mandateve të sekretarëve të shtetit me mandatin e Qeverisë, e cila ruan varësinë politike;
- Mbulimi selektiv i institucioneve, i cili krijon sistem të fragmentuar;
- I gjithë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit është i përqendruar në degën ekzekutive, pa asnjë element të mbikëqyrjes së pavarur ose të jashtme;
- Shkarkimi pa kritere të qarta dhe tregues të matshëm – rrezik i revanshizmit politik;
- E drejta për të mos zgjedhur një kandidat si një mekanizëm për abuzim;
“Zgjedhja e udhëheqësve të lartë në administratën shtetërore aktualisht zhvillohet përmes procedurave dhe kritereve të ndryshme nëpër ligje të shumta sektoriale, duke rezultuar në një model të fragmentuar dhe të pabarabartë të emërimit. Miratimi i një Ligji të ri për shërbimin e lartë udhëheqës është njohur si masa kyçe që, sipas Strategjisë, duhet të kontribuojë në krijimin e një sistemi të unifikuar me kritere objektive për zgjedhjen e udhëheqësve të lartë në institucionet. Ligji jo vetëm që duhet të kontribuojë në përmirësimin e funksionimit të administratës, por duhet të jetë edhe bazë për stimuj dhe model për profesionalizimin e të gjithë punonjësve në administratën publike”, thuhet në analizë.
Në vend të një sistemi autonom dhe meritokratik, projektligji i ndërtuar në këtë mënyrë lë përsëri hapësirë të gjerë për ndikim politik dhe klientelizëm. Nevojiten ndërhyrje të konsiderueshme për të krijuar një sistem të qartë, të unifikuar dhe meritokratik të udhëheqësisë të lartë, rezistent ndaj ndikimeve politike.
“Në dhjetor 2025 u publikua Propozim-ligji për udhëheqësit e lartë në organet e administratës shtetërore dhe fondet. Miratimi i një ligji të tillë ka qenë objekt diskutimi publik për vite me radhë dhe ky është propozim-ligji i tretë për udhëheqësit e lartë i bërë publik për ENER. Në vitin 2019, Propozim-ligji për shërbimin e lartë udhëheqës u tërhoq nga procedura parlamentare me arsyetimin se ishte e nevojshme të përpunohej më tej. Disa vjet më vonë, në vitin 2022, u botua një propozim – ligj i ri për ENER, por gjithashtu nuk u miratua kurrë. Sot, gjashtë vjet pas përpjekjes së parë, publiku prezantohet me një zgjidhje të re ligjore që vë në dukje përsëri një sërë problemesh dhe lëshimesh”, thuhet në dokument.
Iniciativa për miratimin e zgjidhjes ligjore shumëpritur është një hap pozitiv, thuhet në analizë, por zhgënjen, pasi nuk sjell një reformë thelbësore që të krijojë një shërbim karrierë për udhëheqësit e lartë, përkatësisht nuk siguron kufizimin e partizanizmit, politizimit dhe jo-profesionalizmit në këto pozita. Me këtë zgjidhje nuk bëhet ndarja midis menaxhimit profesional dhe atij politik, mungojnë kritere të qarta se kush e realizon zgjedhjen, ndërsa Qeveria dhe ministrat vazhdojnë të kenë kompetenca diskrecionale për emërime dhe shkarkime, gjë që e bën administratën përsëri të ndjeshme ndaj klientelizmit të mundshëm dhe hakmarrjes politike. Gjithashtu, lidhja e mandatit të Kryetarit të Qeverisë me kohëzgjatjen e mandatit të Qeverisë hedh poshtë të gjitha përpjekjet për profesionalizimin e administratës, duke rrezikuar autonominë e saj dhe duke e bërë atë ende të varur dhe të prekshëm nga ndryshimet politike.