Ligji për shërbimin e lartë drejtues dhe rregullat e fragmentuara për nëpunësit civilë, boshllëqet e RMV-së në fushën e administratës publike
Reforma e administratës publike vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Raporti thekson se shteti ka shënuar përparime të prekshme, por ende mbetet në nivel mesatar të përgatitjes, duke reflektuar nevojën për përpjekje të vazhdueshme dhe zbatim më të plotë të reformave të ndërmarra,
Një nga arritjet më domethënëse gjatë vitit ka qenë avancimi në fushën e e-qeverisjes. Ndryshimet në Ligjin për dokumentet elektronike, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara jo vetëm që e harmonizojnë kuadrin ligjor me standardet e Bashkimit Evropian përmes transpozimit të rregullores eIDAS 2.0, por gjithashtu krijojnë bazën për përdorimin e Portofolit të Identitetit Digjital. Kjo pritet të lehtësojë qasjen e qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet publike, duke rritur transparencën dhe efikasitetin.
Përveç kësaj, është punuar në digjitalizimin e regjistrave institucionalë dhe në rritjen e shkëmbimit të të dhënave ndërmjet institucioneve, një hap i domosdoshëm për realizimin e plotë të parimeve të administratës moderne. Thjeshtimi i procedurave elektronike mbetet një objektiv i rëndësishëm, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Një zhvillim tjetër pozitiv është miratimi i ligjeve të reja për nëpunësit administrativë dhe punonjësit e sektorit publik. Këto ligje përmirësojnë proceset e rekrutimit, rregullojnë punësimet e përkohshme dhe i kushtojnë më shumë rëndësi menaxhimit profesional të burimeve njerëzore. Megjithatë, rregullat që rregullojnë kategorinë e nëpunësve civilë mbeten të fragmentuara, duke krijuar pasiguri dhe vështirësi në zbatim.
“Maqedonia e Veriut mbetet mesatarisht e përgatitur në fushën e reformës së administratës publike. Janë bërë disa përparime në fushën e e-qeverisjes, me ndryshimet në Ligjin për dokumentet elektronike, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara që transpozojnë Rregulloren eIDAS 2.0 dhe futjen e Portofolit të Identitetit Digjital. U bënë përpjekje drejt digjitalizimit të regjistrave institucionalë, thjeshtimit të procedurave elektronike dhe rritjes së shkëmbimit të të dhënave. Ligjet e shumëpritura për nëpunësit administrativë dhe për punonjësit e sektorit publik u miratuan në korrik 2025. Të dy ligjet përmirësojnë procedurat e përzgjedhjes, punësimin e përkohshëm, kushtet e punës dhe mbledhjen e të dhënave në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore. Megjithatë, rregullat që rregullojnë nëpunësit civilë mbeten të fragmentuara. Vendi ndoqi riorganizimin e disa institucioneve shtetërore në përputhje me Ligjin e ndryshuar për organizimin shtetëror”, thuhet në Raport.
Në raport me rekomandimet e mëparshme të Komisionit Evropian, progresi ka qenë pjesëror, ndaj prioritetet për vitin e ardhshëm mbeten të qarta. Së pari, e nevojshme është miratimi i dispozitave që rregullojnë shërbimin e lartë drejtues, një segment kyç për administratë profesionale dhe të depolitizuar. Së dyti, duhet finalizuar rishikimi i Ligjit për organizimin shtetëror dhe harmonizimi me ligjet tjera përkatëse, në mënyrë që riorganizimi institucional të jetë funksional dhe në përputhje me standardet evropiane. Së treti, vendi duhet të përmbyllë procesin e digjitalizimit të regjistrave dhe të sigurojë zbatimin e plotë të Ligjit për procedurat e përgjithshme administrative, me fokus në shkëmbimin efikas të të dhënave dhe modernizimin e shërbimeve.
“Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar u zbatuan pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme”, thuhet në raport.
Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti:
- Të miratojë dispozita ligjore që rregullojnë shërbimin e lartë drejtues dhe të fillojë zbatimin e Ligjit të rishikuar për nëpunësit administrativë dhe Ligjit të rishikuar për punonjësit e shërbimit publik.
- Të finalizojë rishikimin dhe të vazhdojë zbatimin e Ligjit për organizimin shtetëror dhe ligjeve të tjera përkatëse, në përputhje me rekomandimet mbi organizimin e ri të organeve administrative shtetërore.
- Të sigurojë zbatimin e plotë të Ligjit për procedurat e përgjithshme administrative duke përfunduar digjitalizimin e regjistrave institucionalë dhe shkëmbimin e të dhënave dhe duke thjeshtuar procedurat elektronike.
Si përfundim, Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të rëndësishëm drejt transformimit të administratës publike, por rruga përpara kërkon vullnet të qëndrueshëm politik, koordinim institucional dhe zbatim tërësor të reformave. Vetëm kështu administrata mund të bëhet më profesionale, transparente dhe në shërbim të qytetarëve, duke e afruar vendin edhe më shumë me standardet e Bashkimit Evropian.
Sektori civil, prej vitesh ka shprehur skepticizëm për miratimin e Ligjit për Shërbim të Lartë Drejtues, pasi që ndër vite i njëjti është premtuar, por nuk është miratuar.
Problem tjetër është se partitë vazhdojnë praktikën e punësimeve në prag të zgjedhjeve. Edhe këtë herë,pak para zgjedhjeve lokale që u mbajtën këtë vjeshtë në Маqedoninë e Veriut, ueb-faqja e Agjencisë së Administratës u vërshua nga shpalljet për punësime. Kërkoheshin punonjës administrativë për ministri, komuna, ndërmarrje publike, spitale, ndërsa shpalljet ishin të hapura deri në fund të korrikut, kur hynin në fuqi rregullat zgjedhore, sipas të cilave duhej të pezullohen procedurat, përveç rasteve kur ato janë urgjente.
Kujtojmë se Parlamenti në qershor miratoi katër ligje për transformimin digjital nga Agjenda e reformave. U votuan Ligji për Komunikimet Elektronike, Ligji për Sigurinë e Rrjetit dhe Sistemeve të Informacionit, Ligji për Ndryshimet në Ligjin për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet Konfidenciale, dhe Ligji për Materialin Arkivor dhe Aktivitetin Arkivor.
- LEXO: Parlamenti i RMV-së miratoi ligjet për transformimin digjital pjesë të Agjendës Reformuese, hapet rruga për paratë nga BE
- LEXO: Valë punësimesh parazgjedhore në RMV: Administrata shpërthen nga konkurset
- LEXO: Për t’u bërë drejtor në RMV mjafton ta çosh mirë me partinë, assesi të miratohet ligji që do ta parandalojë këtë