Projektligji i LSDM-së për ndihmë të të prekurve në Koçan nuk u fut në rendin e ditës të seancës së parlamentare

Zgjidhja ligjore e propozuar nga LSDM-ja opozitare, e cila ka të bëjë me ofrimin e ndihmës për familjet e të vrarëve dhe të plagosurve në zjarrin në Koçan, nuk mori mbështetjen e nevojshme nga deputetët për t’u përfshirë në rendin e ditës të seancës së sotme parlamentare, transmeton Portalb.mk.

Propozimi për plotësimin e rendit të ditës me këtë pikë, të cilin e sqaroi nga foltorja parlamentare koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, mori 18 vota “për”, një “abstenim” dhe asnjë “kundër”, pas së cilës kryetari i parlamentit Afrim Gashi konkludoi se propozimi nuk është miratuar.

Pas votimit, Spasovski, në një konferencë për shtyp në Kuvend, kritikoi shumicën qeverisëse për mosmbështetjen e pikës së propozuar, pavarësisht thirrjes së LSDM-së për të votuar zgjidhjen ligjore që do t’i ndihmonte të prekurit nga zjarri në Koçan.

“Ne besojmë se një tekst i tillë duhej të ishte në rend të ditës sot, i cili nuk është një tekst i zakonshëm ligjor, por një detyrim moral, institucional dhe njerëzor për të gjithë ne. Ky projektligj lindi nga tragjedia më e madhe që ndodhi në historinë e afërt të vendit, ku humbën jetën 62 persona dhe mbi 200 u plagosën”, tha Spasovski në konferencën e sotme për shtyp në Kuvend.

Ai shpjegoi se zgjidhja ligjore parashikonte kompensim për familjet që humbën një anëtar – 80,000 euro në ekuivalent me denarë, ndërsa ndihmë ishte parashikuar edhe për të gjithë ata që u bënë të persona me invaliditet. Ligji parashikonte gjithashtu qasje prioritare në shërbimet e kujdesit shëndetësor – për trajtim, rehabilitim – me shërbime që mbuloheshin nga shteti, si në vend ashtu edhe jashtë vendit.

Më herët sot, deputeti Brane Petrushevski nga VMRODPMNE tha në një konferencë për shtyp se shumica qeverisëse në parlament nuk do ta mbështesë ligjin sepse nuk dëshiron të lejojë që tragjedia në Koçan të keqpërdoret për marketing politik.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prillmë 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.