Projekti RISE hapi thirrje, të rinjtë që kanë ide për biznes ekologjik të aplikojnë deri më 5 tetor

Projekti RISE,  hapi zyrtarisht thirrjen e katërt për mbështetjen e sipërmarrësve të rinj socialë , në një kohë kur ka një vrull të fortë të zhvillimit të ekonomisë solidare. Shoqata ARNO apelon për të gjithë të rinjtë që kanë një ide për një biznes ekologjik dhe që i bën mirë komunitetit, që  të aplikojnë me ekipet e tyre,  jo më vonë se data 5 tetor , duke plotësuar një aplikim në këtë link. Ekipet që do të përzgjidhen për pjesëmarrje,  kanë mundësinë të marrin fonde të pakthyeshme për zhvillimin e një ideje për një biznes social dhe të gjelbër (2500 euro), mentorim, trajnime dhe mundësinë për të vizituar ndërmarrje të tjera sociale nga Ballkani Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

Në Forumin RISE për Ndërmarrësi Sociale, i cili u mbajt javën e kaluar në Shkup në organizim të  Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), morën pjesë vendimmarrës, donatorë, shoqata dhe ndërmarrje sociale që punojnë në ekosistem. Gjatë ditës së parë u mbajt një panair, i cili u organizua nga RYCO në bashkëpunim me Qendrën për Ndërmarrje Sociale nga Shkupi.

“Të rinjtë duhet ta dinë se tani është koha për ide të reja, të gjithë sytë janë te kjo ekonomi e re. Do të shohim gjithnjë e më shumë produktet e ekonomisë sociale, historitë që bëjnë ndryshim.Në forumin në Shkup, pamë Luca Pastorellin nga rrjeti më i madh europian i ekonomisë sociale Diesis, dëgjuam historitë nga jeta e tij (e frymëzuara Barbara Sadowska nga Polonia) dhe pamë ekipet tona RISE. Në nivel europian ka shumë raporte, rekomandime, por dhe shumë hapësirë ​​edhe për dimensionin praktik të kësaj ekonomie të re – kemi nevojë për ndërmarrje sociale dhe investime në to. Për të rinjtë mesazhi është: dilni me modele biznesi dhe aplikoni për të marrë mbështetje, është koha për ndryshime”, tha Irina Janevska nga ARNO.

Në tre edicionet e para të RISE, në nivel rajonal u mbështetën gjithsej 365 të rinj dhe 130 ide nga Ballkani Perëndimor, disa prej të cilave janë rritur në biznese sociale funksionale, kanë fituar çmime të tjera rajonale, grante dhe kanë tërhequr vëmendjen e donatorëve dhe mediave.

Nëpërmjet këtij programi, të rinjtë nga rajoni themeluan biznese sociale që integrojnë gratë refugjate në Serbi përmes prodhimit të veshjeve dhe aksesorëve të modës (Women On The Way), mundësuan turne malore për të promovuar turizmin alternativ lokal dhe për të mbështetur popullatën lokale në Vlorë, Shqipëri (Reality Escapers), prezantuan një koncept të ri të kopshtit në natyrë për herë të parë në Maqedoninë e veriut (në Shtip) (Kamp) dhe shumë histori të tjera suksesi.

Programi RISE ofron mbështetje arsimore dhe financiare që ndihmojnë  të rinjtë të transformojnë idetë në biznese që ndihmojnë komunitetet dhe mbrojnë mjedisin.

Projekti RISE udhëhiqet nga një konsorcium i përbërë nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), SOS Pulse Group, Rrjeti Rinor i Europës Juglindore (SEEYN) dhe Zyra Rinore Franko-Gjermane (OFAJ), dhe zbatohet nga gjashtë inkubatorët lokalë – ARNO (Maqedonia e Veriut), Fondacioni Ballkanik i Gjelbër (Kosovë)*, Diçka Më shumë (Bosnje dhe Hercegovinë), Smart Collective (Serbi), IEC Technopolis (Mali i Zi) dhe Social Business JUNUS (Shqipëri). Projekti RISE bashkëfinancohet nga Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD), Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) dhe programi Erasmus+ i Bashkimit Europian.