“Projekti i shpresës”: Etika globale (I)

“Jemi të bindur në unitetin fundamental të familjes njerëzore!”

Hans Küng

Në shkrimin e sodit do t’ju përcjellim diçka nga kaleidoskopi i kurseve tona akademike-universitare, gjegjësisht do të zbërthejmë një temë që javën e kaluar e kemi trajtuar me studentët tanë të Fakultetit të Shkencave Shoqërore të UEJL-së, një leksion që ndërlidh etikën me segmentin global të saj: etikën globale. Si koncept kjo shprehje, gjer. Weltethos, ang. global ethics, mban vulën e Hans Küng-ut (1928-), filozof dhe teolog zvicerian, i cili nga viti 1960 deri në pensionimin e tij më 1996 ka shërbyer si profesor i teologjisë në Universitin e Tübingenit, kryetar i Fondacionit për Etikë Globale (Stiftung Weltethos). Ai është përpilues i draftit të “Deklaratës drejt etikës globale” të Parlamentit të Feve Botërore (1993) dhe i propozimit të Këshillit “InterAction” për një Deklaratë Universale për Përgjegjësi Njerëzore (1997). Dokumenti historik Towards a Global Ethic – An Initial Declaration, një nga rezultatet më të rëndësishme të Parlamentit të sipërpërmendur është firmosur nga 200 shkollarë, prijës fetarë dhe teologë nga anët e ndryshme të botës.

Küng është autor i shumë veprave, ndër të tjera: Justifikimi (1964), Kisha (1967), A ekziston Zoti? (1980), Krishterimi dhe fetë botërore (1986), Teologji për mijëvjeçarin e tretë (1990), Përgjegjësia globale (1991), Një etikë globale për politikë dhe ekonomi globale (1997),  Islami: E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja (2007), Fillimi i të gjitha gjërave: Shkenca dhe feja (2007) etj.

Etika globale sipas Küng-ut nuk është shpikje, por zbulim i parimeve të përbashkëta që janë të vjetra sa njerëzimi. Kjo platformë i referohet minimumit të domosdoshëm të vlerave, standardeve dhe qëndrimeve morale të përbashkëta, të parevokueshme, që afirmohen nga të gjitha fetë, pavarësisht nga dallimet e tyre dogmatike ose teologjike dhe që mund të mbështeten edhe nga jobesimtarët. Për të arritur këtë të fundit Küng në konceptin e vet nuk ka përfshirë dogma sektare ose teologjie dhe për t’iu shmangur theksimit apo epërsisë së një feje mbi tjetrën, në dokument (lexo: në Deklaratë) nuk të gjesj asnjë citat nga librat e shenjtë. Sipas Schier-it (2023) etika globale nënkupton “tërësinë e vlerave dhe standardeve të përbashkëta që ndiqen nga besime dhe kultura të ndryshme në tokë”.

Etika globale, që për herë të parë është përmendur në vitin 1989, është thirrje për globalizimin e etikës, është botëkuptim që thotë se nuk ka sistem etik uniform, por minimum të domosdoshëm të kritereve etike të përbashkëta të cilave mund t’iu përkushtohen të gjitha fetë, kombet dhe grupet e interesit.

Para kësaj date, në vitin 1988 Këshilli për një Parlament të Feve të Botës u formua në Çikago për të organizuar kremtimin e njëqindvjetorit të Parlamentit Botëror të Feve (World’s Parliament of Religions) të 1893-shit që do të fokusohej në çështjen e fesë dhe ato me rëndësi kritike për botën. (Ibañez, 2023) Nga 14 deri më 18 gusht të vitit 2023 në Çikago u mbajt kuvendi i nëntë u Parlamenit feve të Botës. Është për t’u theksuar se promovuesit e këtij botëvështrimi thonë se s’mund të ketë rend të ri botëror pa një etikë botërore, pa etikë globale. Edhe nëse ka një të tillë, pra rend pa etikë planetare, ky rend do të jetë përplot turbulenca, lëkundje, trauma, kriza nga më të ndryshmet. Pra s’mund të krijohet një rend botëror stabil pa iu referuar një kulture etike që ngërthen tabanin e përbashkët ku takohemi të gjithë, pa pranim të dinjitetit të të gjithë njerëzve, të lirisë dhe barazisë dhe pa solidaritetin mes tyre. Vetë Deklarata e Përgjegjësive Njerëzore thotë se çdo qenie duhet të trajtohet në mënyrë humane. Në këtë kontekst afirmohet edhe Rregulli i Artë: “Bëjau të tjerëve atë që dëshiron të të bëhet ty!”

Vizioni i Hans Küng-ut, me të cilin jemi njoftuar nga prof. I. Bardhi qysh në bankat e shkollës së mesme, mund të përmblidhet në tre fraza kruciale: (1) Bota nuk mund të mbijetojë pa etikë globale. (2) S’ka paqe mes kombeve pa paqe mes feve. (3) S’ka paqe mes feve pa dialog dhe pa bashkëpunim mes tyre dhe qytetërimeve. Sipas këtij botëkuptimi, njerëzit duhet të jenë gjithnjë subjektë të të drejtave, jo vegla, ata nuk duhet të vihen në shënjestër të komercializimit dhe industrializimit ekonomik apo politik, nuk duhet të jenë objekte të mediave, instituteve hulumtuese apo korporatave industriale. (Muzaffar, 2009)

Për implementimin e etikës globale Küng si të domosdoshme i sheh gjërat në vijim:

  • Dialogu ndërmjet feve dhe kulturave, veçanërisht në lidhje me të përbashkëtat në etikë.
  • Edukimi i bazuar në vlera. Fëmijët duhet të mësojnë se të jetuarit së bashku në mënyrë paqësore, në të gjitha nivelet, varet nga respektimi i rregullave bazë. Asnjë shoqëri nuk mund të funksionojë pa një sistem të përbashkët vlerash.
  • Kompetenca etike dhe ndërkulturore në kompanitë tregtare. Njerëzit e përfshirë në konkurrencën ndërkombëtare janë, më shumë se kurrë, të varur nga normat ndërkulturore.
  • Politika ndërkombëtare e ankoruar në drejtësi dhe etikë: Bashkëpunimi dhe integrimi në vend të konfrontimit ushtarak. (weltethos.org) /vijon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.