Programet “reality show” në Kosovë do të bëhen të qasshme vetëm me kode

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në Kosovë, nëpërmjet një rregulloreje të re, ka marrë vendim që programet e kategorisë “Reality Show” të bëhen të qasshme vetëm me kod, transmeton Anadolu.

Duke folur për Rregulloren për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve e cila u miratua nga KPM-ja, kryetari i Bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti, vlerësoi se këto programe duhet të kodohen për shkak se “mund të ndikojnë në gjuhen dhe sjelljen e tyre”.

“Rregullorja parasheh edhe shenjat përkatëse për secilin program (moshën kur konsumi i përmbajtjes është i përshtatshëm), ndërsa operatorët kabllorë do të obligohen për vendosjen e kodit”, ka thënë ai.

Anëtari i KPM-së Besnik Berisha tha se është me rëndësi të madhe edhe shtrija e mbikëqyrjes edhe te përmbajtjet audiovizuale në rrjete sociale, mirëpo, sipas tij, kjo ka të bëjë me një ndryshim ligjor të cilin duhet ta bëjnë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Anëtarja tjetër e KPM-së, Luljeta Aliu, tha se televizioni është pjesë e çdo shtëpie dhe doemos ndikon edhe në zhvillimin e fëmijëve, por edhe kulturës së përgjithshme.

Aliu tha se “duhet t’i mbrojmë fëmijët nga gjuha vulgare dhe t’i mbrojmë nga skenat që mund të shërbejnë si shembull për sjelljet e tyre”.

Rregullorja u miratua unanimisht nga të gjithë anëtarët e komisionit.