Muzafer Etemi, Dritëro Ame dhe Xaka Jonuzi flasin për vitin 2023: Përmendin njerëz, ngjarje e institucione të suksesshme

Portalb.mk përmes një pyetësori të thjeshtë do të sjellë personalitete të ndryshme që do veçojnë suksesin e tyre për këtë vit, ngjarjen ose personalitetet që mendojnë se kanë bërë diçka të veçantë, institucionin më të rëndësishëm, po ashtu dhe qytetin më aktiv. Na ndiqni ditët në vijim, derisa numërimi mbrapsht të fillojë. Për çka do ta mbajmë mend vitin 2023? Të përgjigjemi së bashku!

Muzafer Etemi
Muzafer Etemi

Sukseset e aktorit nga Teatri i Tetovës Muzafer Etemi për  vitin 2023…

Ishte vit kthese. Pas një periudhe 3-4 vjeçare viti që po lëmë pas më riktheu aty ku edhe e kam vendin, në fushën e artit. Suksesi i parë ishte angazhimi te shfaqja “Armiku i popullit”, nga H. Ibsen, nën regjinë e Arben Kumbaros, shfaqje e cila u shpërblye në dy festivale: Dibër dhe Gostivar, besoj se kjo shfaqje do të jetojë gjatë. Sukses do ta quaj edhe hapjen e produksionit filmik “Panta rei”, me të cilin vitin që po vjen besoj të filloj të realizoj synimet e mia në fushën e artit filmik. Fillimi me punë për realizimin e monodramës “Internimi…”, bashkëpunim me Qendrën “Shift”, premierën e së cilës besoj ta kem në fillim të vitit ’24. Angazhimi si koordinator i “Festivalit të Tetovës”. Parapërgatitja për të realizuar një shfaqje teatrore me kukulla, e cila do të fillojë të jepet nga fillim viti ’24. Thuhet se gjysma e punës është fillimi…(qesh).

Nga personalitetet veçon Dr.Ilir Demirin, drejtorin e tanishëm të Spitalit Klinik të Tetovës, i cili për mua është person i vitit. Sukseset e tij të gjithë i dimë.

Nga institucionet veçon Teatrin e Tetovës me “Armikun e popullit”, regjia Arben Kumbaro.

Në teknologji: Mira Murati, në sport: Kombëtarja shqiptare, Luiza Gega, sportistët e xhudos në Kosovë.

Porosia për vitin që vjen …

Dua që viti që po vjen të jetë viti i reflektimit. Mendoj se do të fillojnë të na pakësohen problemet kur do t’i kthehemi vetvetes: çfarë po bëj unë, që vendi ku jetoj të bëhet më i mirë për të jetuar. Dua që shumë gjëra të ndryshojnë: dua që prindërit t’u kushtojnë më shumë kohë fëmijëve; dua që mësuesit t’i mësojnë më mirë nxënësit, dua që universitetet të rrisin cilësinë dhe të ngriten të paktën, nga gjysma e listës PISA, dua që Ministria e Arsimit të sigurojë libra për nxënësit, dua që politikanët të gënjejnë më pak, dua që qytetet që udhëhiqen nga shqiptarët të mos kenë borxhe dhe ta zgjidhin një herë e përgjithmonë problemin e plehut-mbeturinave.

Stop shtirjes se po bëjmë diçka të madhe! Të bëjmë diçka të vogël me përkushtim dhe dashuri më të madhe. Shëndet dhe suksese për të gjithë ata që do të reflektojnë! Gëzuar 2024!

Dritëro Ame
Dritëro Ame

Dritëro Ame, aktori nga Teatri Shqiptar i Shkupit përmend sukseset …Pas asaj humnere të keqe që kaluam si glob ( me pandeminë), sinqerisht mundohem që çdo ditë ta shijoj dhe çdo punë ta përjetoj maksimalisht… Përkushtimin në punë, për të cilën mund të japim përgjigje( se është realizimi i çdo shfaqjeje që na jepet të krijojmë personazhe të ndryshme)është se çdo ditë që jetojmë , është sukses në shtetin tonë. E them këtë për arsye se ne po vazhdojmë të merremi me fenomenet (deja Vu )parazgjedhore të konflikteve banale të cilat na janë bë refren i përditshëm në nënqiellin tonë të ashtuquajtur “Maqedhonia e Veriut”, ndërsa si sukses do e quaja mbijetesën në shtetin tonë , ndaj për këtë do duhet që ata të bigbrother-it të na japin medalje të gjithë qytetarëve të rëndomtë që jetojmë këtu.

Si çdo vit edhe ky vit ishte i ngjeshur me projekte …Po, këtë vit do e quaja si vit goxha të ngjeshur me punë dhe prova dhe me projektet të reja si dhe me rishfaqen e shfaqjeve si dhe pjesëmarrja në festivale me “Ballkonin ” të Jan Janetit , “Tri Motrat” të Çehovit si dhe “Mishi i Egër” i Goran Stefanovskit. Me këto shfaqje e përmbyllëm vitin 2023 besoj me dinjitet. Këtë vit kisha edhe një detyrë shumë të vështirë meqë isha si anëtar i jurisë në “Festivalin Moisiu ” që sivjet u mbajt në Tiranë, ku besoj që edhe detyrën dhe obligimin që e pata bashkë me anëtarët tjerë e përmbyllëm ashtu siç duhet.

Nga njerëz që kanë bërë diçka, do veçoja të gjithë ata prindërit që jetojnë në zonat që akoma sot e kësaj dite luftojnë për të drejtat e arsimimit si në Çashkë konkretisht. E lehtë është të jesh shqiptar në Kumanovë, Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë, Ohër etj. Por, e vështirë është të jesh në Veles e Prilep dhe Manastir.

Andaj, do doja që një orë e më herët të zgjidhet çështja e arsimit për ata njerëz që po i harrojmë dita ditës, që po luftojnë për të drejtat që ju takon.

Andaj do i kisha veçuar të gjitha ata prindër që në 2023 kërkojnë të drejta për t’u arsimuar.

Si institucion… do ta veçoja Teatrin amë “Teatrin Shqiptar të Shkupit” për shumë arsye, përveç punës që e ka obligim të bëj me autorët, regjisorët, projektet, teket e aktorëve, mundohet me mish e me shpirt që të jetë referencë për të gjithë teatrot në rajon, andaj si institucion do ta veçoja Teatrin Shqiptar me arritjen dhe pjesëmarrjen në marrëveshjen e tri kryeqendrave Tiranë -Prishtinë-Shkup, ku do doja që të theksoja që Tirana dhe Prishtina kanë marrëveshje institucionale mes ministrave të kulturës për mbarëvajtje të Festivalit ‘’Moisiu’’, ndërsa Shkupi e ka të vështirë të bëjë këtë marrëveshje për shkaqe se këtu jetojmë në një shtet multi- etnik dhe është shumë e vështirë që të sigurohen mjete për mbarëvajtjen e trinomit Shkup-Tiranë-Prishtinë , por kemi bajraktarin Adem Karaga që e përgëzoj që mundohet me mish e me shpirt që mos shkëputemi nga nënqielli shqiptar që të jemi pjesë përbërëse e festivalit dhe uroj që politika të paktën këtë festival ta institucionalizoj që të jetë pjesë e “tri shteteve”.

Cilën arritje në shkencë, mjekësi, teknologji…

Si arritje do ta veçoja ‘’Nasën’’ që dërguan macen në hapësire dhe e kthyen me sukses në tokë , ndërsa ne po diskutojmë për paralele shqip.

Mesazhi i fund vitit, urimi…

Uroj që vitin që lëmë pas të na shërbejë si referencë që të mos përsëritemi në gabime dhe në vendimmarrje të gabuara, uroj që të kemi shëndet ,harmoni , gëzime e sa më pak shqetësime, dhe të marrim dylbi për të parë atë dritën në fundin e tunelit që s’po i shihet fundi…

Gëzuar 2024 duke ju dëshiruar gjithë të mirat dhe mos harroni vizitoni teatrin sa më shpesh se aty bëhen punët me shumë- shumë përjetim.

Xaka Jonuzi Çeliku
Xaka Jonuzi Çeliku

Aktorja Xaka Jonuzi Çeliku nga Teatri Shqiptar i Shkupit përmend sukseset për sivjet

Një herë mendova se ka qenë suksesi që më solli roli i Mashës në shfaqjen “Tri motrat” nga Çehovi, nën regji të Qëndrim Rijanit, që këtë shfaqje e kam shumë për zemër, por jo, ajo kishte qenë vitin e kaluar. Këtë vit pos reprizave nuk isha e angazhuar në projektet e teatrit. Njëra ishte ma me të rinjtë, (çuditërisht unë nuk përkisja aty ( qesh), tjetra arsye, regjisori i reduktoi disa role të femrave, tani në teatër jemi bë shumë vajza, gra, dhe duhet të përfshihen të gjithë në njëfarë mënyre . Por, prapë se prapë unë sukses të këtij viti do ta quaja përkushtimin e plotë ndaj fëmijëve të mi (vajza gjashtë e gjysmë dhe djali katër vjeç), që ndoshta suksesi do dëgjohet pak më vonë, por unë farat i kam hedhur, ngelet t’i mbledhim frutat, që nuk është edhe shumë kollaj. Sukses e quaj që kam arritur vajzës t’i krijoj shprehi pune (detyrat e shtëpisë), sukses quaj që kam arritur ta inkurajoj vajzën të pyes për çfarëdo gjëje që nuk e ka të qartë, jo veç mua por edhe të tjerët. ( Ne si shoqëri vuajmë nga ngurrimi ose kompleksi i të treguarit ‘i padituri’ kur pyesim. Përkundrazi lirshëm duhet të pyesim për çfarëdo gjëje që nuk kuptojmë, jo vetëm të pohojmë me kokë. Suksese tjera janë leximi me fëmijët, punimet e ndryshme me to, muzika, gatimi, shkrimi nga ana ime gjera për fëmije etj. ( Mos i dhashë pak kosës? ( qesh) Po jo, këto janë të vërteta dhe duhen vlerësuar).

Si personalitet veçon…Regjisorin Qëndrim Rijanin, për arritjet e tij gjatë gjithë vitit me vënie të veprave të ndryshme në teatro të ndryshme të Maqedonisë dhe jashtë, po ashtu edhe mori çmimin “Artisti i ri me i mirë nga presidenti i vendit Stevo Pendarovski.

Drejtoreshën e Galerisë së RMV Dita Qerimi Starovën, angazhimi i saj ka qenë i pamohueshëm në prurjen e ekspozitave të ndryshme.

Dr. Artan Dika, kirurg ne kirurgjinë plastike dhe rikonstruktive në klinikë, është i suksesshëm në profesionin që ushtron por edhe e ngre zërin për padrejtësitë e ndryshme në mjekësi.

Mira Murati, arritja e viti e krejt shqiptarëve dhe botës.

Elmedina Halili, edukatore në çerdhen “Fidani”, pikërisht për këta që nuk ekspozohen, zbulimi nga ne të tjerët nuk duhet të mungojë. Edukatore që saktë e di profesionin e vet, me metodat e saja edukative, kreative dhe shumë tërheqëse për fëmijët. Përkushtimi i saj me lojëra të ndryshme, duke improvizuar situata të ndryshme përpara femijëve, dhe zgjidhja e “problemeve” të fëmijeve me shumë fjalë të thjeshta dhe figurative nuk mungojnë asnjë ditë. Edukatore, që edhe kur shkon në shpi, i merr në telefon prindërit dhe tregon për ecurinë e fëmijëve në shtëpinë e tyre të dytë, në çerdhe.

Bardhyl Jashari, njëri ndër udhëheqësit më të suksesshëm në ‘’Metamorfozis’’.

Metamorfozis me shumë aktivitete gjatë gjithë vitit.

SHGM– aktiviteti i tyre për ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e ambientit jetësor, duke përfshire gazetarë të ndryshëm, mbajtja e trajnimeve të ndryshme në bashkëpunim me ambasadën e Suedisë, pikërisht për këtë çështje.

Në teknologji Chat gpt.