Presidenti zviceran zhvilloi takime me krerët institucional, Siljanovska e llogariti Zvicrën shembull të një vendi shumëgjuhësor

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova priti presidentin zviceran Guy Parmelan, i cili ndodhet sot për vizitë zyrtare në vend, në një ceremoni me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake. Ai në takim u prit nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, transmeton Portalb.mk.

Presidentët zhvilluan takim kokë më kokë, i pasuar nga një takim plenar i delegacioneve të Maqedonisë dhe Zvicrës.

“Përse ka rëndësi për ne, sepse bëhet fjalë për një shembull të suksesshëm të një shteti të vogël federativ shumëgjuhësor, në të cilin dallimet tejkalohen me dituri, me kapacitet qytetar, me kompetencë, dhe kuptohet, me aktivitet të vazhdueshëm. Paqja dhe siguria për ne janë angazhimet kryesore dhe shpesh herë kam thënë se për shtetet e vogla, zgjidhja është multilateralizmi, ndërsa ai lulëzon në institucionet stabile ndërkombëtare”, tha Siljanovska-Davkova.

Presidentja falënderoi presidentin zviceran për mbështetjen e tij të vazhdueshme të integrimit evropian të Maqedonisë, si dhe për donacionet e shumta dhe të vlefshme në fusha kyçe si: sundimi i ligjit, forcimi i institucioneve demokratike, kalimi në energji të gjelbër dhe të rinovueshme dhe mbrojtja e burimeve natyrore, veçanërisht ujit.

“Zvicra dhe Maqedonia e Veriut janë vende të shënuara me traditë shumëvjeçare të multikulturalizmit. Kjo do të thotë se bashkëpunimi ynë, biseda dhe dialogu, janë të fuqishëm, vendet tona janë të dënuara në një farë mënyre të luftojnë për rrugën e tyre dhe ekzistencën në Evropë. Ne gjithashtu jemi të lidhur edhe me Koçanin dhe Krans Montanën. Jemi të lidhur edhe me këto dy fatkeqësi”, deklaroi Parmelan.

Parmelan në agjendë e pati edhe takimin me kryeministrin Hristijan Mickoski në prani të afaristëve zviceran dhe vendor. Ndër takimet e planifikuara është edhe ai me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili u takua në prani edhe të një grupi deputetësh.