Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq u prit me nderime të larta në RMV: U nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi
Në një ceremoni zyrtare, me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova priti presidentin malazez Jakov Milatoviq. Pas takimit kokë më kokë, u zhvillua një takim plenar i delegacioneve maqedonase dhe malazeze. Tema e bisedimeve ishin marrëdhëniet politike maqedonase-malazeze, bashkëpunimi ekonomik, arsimi, digjitalizimi, kultura dhe turizmi, si dhe ngjarjet dhe situatat rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, transmeton Portalb.mk.
“Siljanovska-Davkova dhe Milatoviq ndanë pikëpamjet e tyre mbi integrimin evropian, në të cilin Mali i Zi është një vend kandidat kryesor, ndërsa rruga e Maqedonisë është bllokuar nga kushtëzimi i një serie tjetër ndryshimesh kushtetuese, të iniciuara nga jashtë. Sipas tyre, reformat intensive, në frymën e kritereve të Kopenhagenit, po evropianizojnë rajonin, dhe bashkëpunimi më i gjerë tregtar dhe infrastruktura po forcojnë rolin e tij brenda kornizës evropiane”, thanë nga kabineti i presidentes Siljanovska.
Presidentët theksuan edhe një herë domosdoshmërinë e riintegrimit të shpejtë të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke pasur parasysh rreziqet e larta të sigurisë të shkaktuara nga luftërat aktuale.
Me rëndësi të veçantë, siç thuhet në njoftim, për Milatoviqin dhe Siljanovska-Davkovën është nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit midis Këshillave Rinore të Kabineteve të dy Presidentëve, si një hap i rëndësishëm në komunikimin e burimeve njerëzore më vitale, më krijuese, më reformiste dhe më evropiane – të rinjve.

Paraprakisht, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, priti Milatoviq, në aeroportin e Shkupit.
“Gjatë dy ditëve të ardhshme, presidenti Milatoviq do të zhvillojë disa takime dypalëshe me udhëheqjen shtetërore të Maqedonisë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit, me fokus në zhvillimin ekonomik, stabilitetin rajonal dhe integrimin evropian. Vizita është një konfirmim i marrëdhënieve të mira dhe miqësore midis dy vendeve, si dhe i angazhimit të përbashkët për promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe të ardhmes evropiane”, thuhet në njoftimin e MTD-së.
Presidenti i Malit të Zi vendosi kurorë me lule në varrin e Goce Dellçevit në Kishën e Shën Spasit në Shkup.
Dialogu parlamentar dhe marrëdhëniet dypalëshe: Presidenti i Malit të Zi viziton Kuvendin
Kuvendi priti Millatoviqin në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë, e cila thekson rëndësinë e dialogut parlamentar dhe bashkëpunimit rajonal.
Vizita filloi me takim kokë më kokë në Kabinetin e Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, ku u biseduan çështjet aktuale rajonale dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.
Pas përfundimit të takimit, Presidenti Millatoviq iu drejtua anëtarëve në Dhomën Ligjvënëse, duke e theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.
“Dy vendet tona janë të lidhura nga miqësia e sinqertë, respekti i ndërsjellë dhe përkushtimi i përbashkët ndaj vlerave evropiane, tha Millatoviq, dhe marrëdhëniet dypalëshe janë shembull i bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë në Rajon. Ekziston potencial i konsiderueshëm për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimit tregtar, veçanërisht në turizëm, bujqësi, transport dhe ekonominë digjitale. Vizita e Presidentit të Malit të Zi synon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe dërgimin e një mesazhi të fortë të bashkëpunimit dhe mbështetjes rajonale”, thonë nga Kuvendi.

Më 1 prill 2026, të mërkurën, duke filluar nga ora 10:00, kryetarja Gordana Siljanovska-Davkova dhe presidenti Jakov Milatoviq do të mbajnë ligjëratë të përbashkët në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.