Do të krijohet një regjistër i ri ndotësish në RMV, industria do të duhet të publikojë rregullisht çka lëshon në ajër, ujë dhe tokë
Të gjitha kompanitë që kanë një leje të integruar A të lëshuar nga Ministria e Mjedisit do të jenë pjesë e një regjistri të ri të ndotësve, në të cilin do të duhet të ndajnë me publikun të gjitha të dhënat që lidhen me matjet e emetimeve në ajër, ujë ose tokë që janë të detyruar të bëjnë. Regjistri, sipas Ministrit Muamet Hoxha, duhet të rrisë transparencën në operacionet e kompanive dhe t’i ofrojë publikut të dhëna në kohë dhe relevante, transmeton Portalb.mk.
“Në periudhën në vijim, do të zhvillojmë takime me të gjitha kompanitë që kanë leje të integruara A, me qëllim që t’i informojmë ato rreth risive të Ligjit për Emetimet Industriale, i cili hyn në fuqi në shtator 2027, me të cilat do të duhet të përshtaten. Një nga temat e takimit do të jetë platforma digjitale në formën e një regjistri në të cilin do të duhet të publikojnë të dhëna”, tha Hoxha.
Ai thotë se kjo nuk është një zgjidhje e thjeshtë teknike, por një masë për të rritur përgjegjësinë e kompanive. Ai thekson se të dhënat mbi emetimet e ndotësve industrialë, mbi transferimin e mbeturinave jashtë vendit, mbi ndotjen e ujërave të zeza, si dhe mbi konsumin e energjisë, ujit dhe lëndëve të para, do të mblidhen sistematikisht dhe do të publikohen.
“Kërkesat për raportimin mbi lirimin dhe transferimin e ndotësve janë në përputhje me kushtet në lejet që kanë objektet, gjë që i lejon regjistrit të ofrojë të dhëna të besueshme dhe të krahasueshme mbi emetimet dhe përdorimin e burimeve nga ndotësit. Në këtë mënyrë, presioni është më i madh, dhe bashkë me të edhe përgjegjësia për respektimin e standardeve”, tha Hoxha.
Regjistri do të jetë i hapur për publikun, dhe kushdo që është i interesuar do të mund ta hapë dhe të shohë rezultatet e analizave laboratorike që ndotësit janë të detyruar të kryejnë. Ministria thekson se operacionet e monitorimit janë detyrim i kompanisë, e cila duhet të mbajë edhe koston e analizave të kryera, dhe autoritetet shtetërore, siç është Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, do të kryejnë kontrolle vetëm kur ka dyshime për rezultatet e paraqitura nga kompanitë ose ndotje të dukshme, gjë që është praktikë e vendosur në Bashkimin Evropian.
Në brifingun me mediat u theksua gjithashtu se aktivitetet për vendosjen e qendrave rajonale për menaxhimin e mbeturinave po vazhdojnë sipas dinamikës së planifikuar. Për më tepër, aktualisht po punohet për një zgjidhje sistematike dhe afatgjatë për deponinë në Jegunovcë, përmes analizës së masave më të përshtatshme dhe sigurimit të mbështetjes financiare.