Premierë: “Pacienti i Doktor Frojdit” të mërkurën në skenën e Teatrit të Tetovës

“Pacienti i doktor Frojdit” është shfaqja më e re premiera e të cilës do të vihet në skenën e Teatrit të Tetovës këtë të mërkurë (12 qershor) me fillim në ora 20:00, kështu bënë të ditur sot nga Teatri i Tetovës, shkruan Portalb.mk.

Shfaqja është +16 ndërsa regjisori i shfaqjes, Gent M. Çajani në fjalën e tij na jep pak detaje se për çfarë flet shfaqja.

“Ngjarja groteske zhvillohet në Vjenë në zyrën e Zigmund Frojdit. Tridhjetë vjeçari Adolf Hitler vjen në zyrën e Frojdit për të kërkuar ndihmë, jeta e tyre seksuale nuk po funksionon siç duhet me të dashurën e tij Kristinën dhe si do dëshironte ai. Frojdi pranon t’i trajtojë dy pacientët e pazakonshëm. Kristina e dashura e Adoflit në anën tjetër nuk pranon që t’i nënshtrohet trajtimit nga doktor Frojdi, por në fund bindet. Nuk kalon shumë kohë para se të fillojnë të ndodhin gjëra të pakëndshme. Personazhet e diktatorit të ri të ardhshëm dhe psikiatrit më të famshëm në botë përshkruhen me shumë humor”, sqaron Çajani.

Kasti:

  • Autor: Miro Gavran,
  • Regjisor: Gent M. Çajani,
  • Interpretojnë: Muzafer Etemi, Adrian Aziri dhe Linda Shabani,
  • Përktheu: Kastriot Çipi,
  • Muzika: Luan Dehari,
  • Kostumet: Medina Hoxha,
  • Skenografia: Bilgaip Koçishte,
  • Make up artist: Bardhyl Saiti.

Biletat kushtojnë 300 denarë dhe mund të merren në biletarinë e teatrit.

Të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë fillon Festivali i Flmit “WatchOut” nga LOJA, të cilët e kanë paralajmëruar ngjarjen që javën e parë.