Posta e Maqedonisë së Veriut pa adresë për reforma

Nga kaosi në Postën shtetërore jo të gjithë dalin si humbës. Shkupjani Igor Dimovski mund të mburret se vitin e kaluar nga Gjermania ka porositur dy disqe të bendit heavy metal “Metallica”, ndërsa nëpërmjet postës i kanë arritur dy herë më shumë, pra katër. Në fakt ai është bërë me nga dy kopje të secilit prej dy albumeve dhe për këtë arsye i ka gëzuar të afërmit e tij me nga një kopje, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Megjithatë, përvoja e Dimovskit nuk është aspak pozitive.

Ai i ka pritur shumë gjatë disqet e bllokuara në depot e postës, ndërsa dyfishimi i disqeve ka ndodhur vetëm për shkak të faktit se gjermanët janë treguar plot mirësjellje dhe ia kanë dërguar edhe një herë dërgesën falas, të bindur se ajo paraprakja kishte humbur.

Dy dërgesat i ka marrë pas katër muajsh, në pranverë, me ç’rast i kanë kërkuar edhe falje.

“Çfarë të bëj, nuk kemi njerëz”, i turpëruar ka thënë postieri.

Gjendja kronike e keqe në Postën e Maqedonisë së Veriut shpesh gjeneron justifikime të ngjashme.

Dhe siç ndodh zakonisht zanafilla e problemeve edhe këtu është financiare. Sipas drejtorit Orhan Kurtishi posta ka një borxh prej pothuajse shtatë milionë eurosh.

Detyrimet financiare ia vështirësojnë shumë kryerjen e rolit të saj të rëndësishëm si një shërbim universal i shpërndarjes. Ndryshe nga zyrat postare private, posta shtetërore është e detyruar me ligj që të shpërndajë pako me çmime të ulëta edhe në zonat më të largëta rurale, kështu që ndonjëherë një pako me vlerë prej 36 denarë postës mund t’i kushtojë deri në 2.000 denarë.

“Ky detyrim rezulton në një humbje vjetore prej 4,5 milionë eurosh”, thotë Kurtishi.

“Nëse ka qoftë edhe një person në fshat, ne duhet t’ia dërgojmë postën me një çmim të ulët.”

Pas ndryshimeve politike të verës së kaluar, menaxhmenti i ri filloi të shuajë zjarret në të gjithë kompaninë. Megjithatë, përshtypja është se vëmendja dhe përkushtimi që autoritetet po investojnë në postën nuk korrespondojnë me thellësinë e krizës në të cilën ndodhet posta perëndimore, e cila nën shkurtesën nostalgjike PTT për dekada të tëra u ka shërbyer qytetarëve.

Përshtypjen e këtillë e përforcon edhe fakti se në dhjetë vitet e fundit në Postën e Maqedonisë janë ndërruar shtatë drejtorë.

Postierë as për ilaç

Entuziasti i muzikës Dimovski është një nga rreth 80 personat që iu përgjigjën pyetësorit tonë lidhur me shërbimet e postës shtetërore. Pothuajse 90 përqind e përvojave të tyre janë negative. Çdo të tretit person i ishte vonuar dërgesa, e nuk ishte i vogël edhe numri i atyre të cilëve u kishin humbur dërgesat – 16.

Disa prej të anketuarve madje i kishin përjetuar të dy këto përvoja të pakëndshme – edhe e kishin marrë dërgesën me vonesë edhe u kishte ndodhur që ndonjë dërgesë tu ketë humbur në labirintet e postës.

“Thirrjen për në gjykatë e mora tre ditë pasi kishte përfunduar afati për t’u përgjigjur dhe e gjeta atë në pragun e apartamentit tim, jo në kutinë postare. Mund ta kishte marrë kushdo”, u ankua një qytetar që i shfrytëzon shërbimet e Postës.

Atij i kishin humbur edhe libra që i ka porositur nga jashtë vendit.

“Book Depository [librari britanike online] më konfirmoi se ato kishin mbërritur në Maqedoni, por nga Posta me këmbëngulje më bindnin për të kundërtën.”

Vitin e kaluar revizori shtetëror e përshkroi në detaje krizën në Postë, e cila është gjenerator i shërbimeve të dobëta. Një pjesë e mirë e gjetjeve të revizionit në një intervistë me BIRN u konfirmuan edhe nga drejtori Kurtishi, i cili në këtë post është për më pak se një vit.

Ka një mungesë serioze të fuqisë punëtore. Analizat e thella kanë alarmuar se ka nevojë edhe për 330-340 punonjës të tjerë, kryesisht postierë dhe sportelistë.

Ndërmarrja po i humbet vazhdimisht punonjësit sepse dy të tretat e tyre janë mbi 50 vjet dhe dhjetëra prej tyre çdo vit dalin në pension. Është e vështirë që ata të zëvendësohen me të rinj sepse postierët, për shembull, marrin një pagë për një nuancë më të lartë se paga minimale.

Prandaj, gjithnjë e më shumë përgjegjësi bien mbi gjithnjë e më pak punonjës, ndërsa ngarkesa e tepërt e punës reflektohet në efikasitetin dhe sjelljen e tyre profesionale. Kjo u theksua nga personat që iu përgjigjën pyetësorit. Ata tregojnë për sportelistë të pakëndshëm dhe të painteresuar, madje edhe për sjellje të pahijshme.

“Punonjësja ishte e lodhur nga puna e saj, e lodhur nga jeta”, thuhet në njërën nga përgjigjet që i morëm.

Shpesh ka ndodhur edhe që zyrat postare lokale të mbyllen para përfundimit të orarit të punës.

Shumica e punonjësve punojnë në kushte joadekuate, në objekte të rrënuara që nuk janë mirëmbajtur për dekada të tëra. Filiali në Stacionin Hekurudhor në Shkup, që konsiderohet zemra e postës – për shkak se shumica e dërgesave përpunohen atje, është pothuajse në një gjendje të rrënuar.

Uji rrjedh nga tavani, gjë që, në kombinim me instalimet elektrike përbën rrezik për 260 punonjësit atje, paralajmëron drejtori.

Ata kanë problem edhe me automjetet e vjetëruara. Posta disponon me vetëm 60 automjete, në vend të 150 të nevojshme, ndërsa dhe ato nuk janë në gjendje të mirë. Softueri është i vjetëruar dhe pothuajse i papërdorshëm, ndërsa kompjuterët janë nga viti 2016-2017.

Dhe asesi të vijë në rend blerja e makinës së kushtueshme për selekcionim.

Kjo do ta rriste ndjeshëm kapacitetin për përpunimin e postës nga 20.000 në 150.000-200.000 dërgesa në 24 orë. Sipas revizorëve një makinë e re sortimi kushton rreth 500.000 euro, që janë shumë para për një kompani që po mbytet në borxhe.

Optimizëm ka, para jo edhe aq

Arsyet kryesore për akumulimin e borxhit janë heqja e tarifës radiodifuzive në vitin 2017 dhe transferimi i faturave klasike në formë digjitale gjatë pandemisë. Të gjitha këto, sipas menaxhmentit të postës, shkaktojnë një humbje shtesë prej pesë milionë eurosh në vit.

Revizorët e lidhin një pjesë të humbjeve financiare edhe me falimentimin e Eurostandard Bank. Nga muaji gusht i vitit 2020 dhe muajit mars të vitit 2011 të ardhurat nga provizionet nga llogaritë, pensionet dhe ndihma sociale, të cilat u përpunuan përmes kësaj banke, janë ulur ndjeshëm.

Edhe kriza energjetike e viteve 2021/2022 ka shkaktuar një rritje të shpenzimeve për shkak të kostove shumë më të larta për energji elektrike, ngrohje dhe karburant.

Një ngarkesë financiare është edhe administrata e mbingarkuar.

“Një e treta e punonjësve janë në administratën e postës, ky është rezultat i punësimeve partiake”, thotë drejtori Kurtishi.

Në grumbullin e arsyeve ai me besim e shton edhe konkurrencën e padrejtë nga kompanitë private postare. Kurtishi thotë se rreth tridhjetë operatorë privatë kanë kushte shumë më të lehta për licencim.

“Ne na kërkojnë të kemi të paktën 300 njësi postare dhe 150 automjete, ndërsa kompanitë private mund të operojnë në një sipërfaqe prej 50 metrash katrorë, me dy automjete, tre punonjës dhe një garancion minimal prej 25.000 eurosh.”

Kur merret parasysh e gjithë kjo nuk duhet të na befasojnë gjetjet e rregullatorit Agjencia për Postat, të cilat tregojnë se posta është gjithnjë e më e orientuar drejt dërgimit të letrave të lira, vendase dhe afariste, të cilat zakonisht dërgohen nga institucione, ndërmarrje publike, banka, gjykata dhe kompani sigurimi.

Në fakt, ajo tashmë e ka humbur betejën në tregun e pakove, që është e tashmja dhe e ardhmja e kësaj industrie, duke pasur parasysh se ky segment i biznesit nuk mund të zëvendësohet nga shërbimet online. Konkretisht, Posta e Maqedonisë së Veriut dërgon vetëm rreth dy përqind të numrit të përgjithshëm të pakove çdo vit.

“Zoti na ndihmoftë”

Konfirmimi se politika e neglizhon ose nuk e njeh rëndësinë e problemit shihet në faktin se posta nuk trajtohet në programet e detajuara të VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe Qeverisë. Pas ndryshimit të Qeverisë një nga deklaratat e rralla për fatin e Postës është ajo e ministrit të transportit, Aleksandar Nikolloski. Në një intervistë paralajmëroi një betejë për mbijetesë dhe racionalizim të punonjësve.

Pavarësisht gjithë kësaj Drejtori Kurtishi gjen arsye për optimizëm.

Si një model shpëtimi ai e sheh rastin e Postës Serbe, e cila u bë fitimprurëse pasi mori ndihmë shtetërore prej 30 milionë eurosh. Por, Qeveria jonë nuk ia dha asaj pesë milionë eurot e kërkuara si ndihmë vitin e kaluar, edhe pse i siguroi tre milionë në formë të kredive nga kompani shtetërore.

Me paratë e marra hua Kurtishi mbylli një kredi bankare, e cila, për shkak të kësteve të neglizhuara i arkëtonte Postës norma interesi tepër të larta për shkak të mospagesës.

Ministria e Transportit i ka premtuar ndihmë për blerjen e automjeteve të reja, ndërsa ai do të duhet të gjindet me paratë e Postës për blerjen e makinës tejet nevojshme për selekcionim. Problemin me softuerin do ta lërë për kohë më të mira.

Ndërkohë edhe përvojat pozitive me shërbimet e Postës, të cilat ishin me dhjetëra në përgjigjet e pyetësorit, tingëllojnë si komenti në vazhdim:

“Postieri është fqinji im dhe i sjell pakot e mia në kohë, ndërsa të tjerët Zoti i ndihmoftë.”

Ndryshe, Studimi i Fizibilitetit të Postës së Maqedonisë së Veriut të kryer në vitin 2021, për të cilin shteti ka paguar afër 800 mijë euro, zbuloi gjetje skandaloze. Organizimi dhe menaxhimi i dobët i Postës në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, mungesa e digjitalizimit, puna manuale dhe gabimet njerëzore në raportet financiare, mungesa e një sistemi të njëjtë të punës dhe punëtorë të papërgjegjshëm që nuk shkojnë në punë, ishin disa nga gjetjet e Studimit.