Visar Ganiu nuk e ndërtoi bibliotekën e premtuar në Çair
Ndërtimi i bibliotekës dhe leximores në Sahat Kullë mbetet premtim i parealizuar i Komunës së Çairit në krye me Visar Ganiun, shkruan Portalb.mk.
Në programin zgjedhor “Tek e blerta” 2021–2025, Visar Ganiu, kryetari i Komunës së Çairit, premtoi se përveç investimeve në arsim dhe kulturë, Komuna e Çairit do të angazhohet për ndërtimin e një biblioteke dhe leximore në Sahat Kullë. Kjo hapësirë kulturore do të vihet në shërbim të qytetarëve, duke u krijuar atyre një vend për lexim, mësim dhe zhvillim intelektual.
Te pjesa zhvillimit kulturë e pastër konkretisht në faqe 35 thuhet:
“Bibliotekë dhe leximore komunale (Isa Begu objekti) – Ndërtimi i Bibliotekës në Sahat Kullë e cila do ketë sipërfaqe të parcelës ndërtimore prej 732 m2 dhe ndërtim i objektit P+2 me sipërfaqe prej 744 m2. Investimi i këtij projekti është 850.000 euro”.
Megjithatë, edhe pas tre vitesh e gjysmë nga rizgjedhja e Visar Ganiut si kryetar i Komunës së Çairit, ky premtim ende nuk është realizuar në terren.
Portalb.mk kërkoi nga Komuna e Çairit, se pse deri tani nuk është ndërtuar kjo bibliotekë, por nga Komuna e Çairit nuk u përgjigjen për këtë premtim të papërmbushur.
Burimet e Portalbit thonë se në Çair ndodhet një leximore e vogël e komunës , në një lokal me qira në emër të një banori të ndjerë nga Çairi. Ajo ishte planifikuar të zhvendosej në një objekt tjetër si: shkollë, leximore apo qendër rinore, që pritet të rikonstruohet në afërsi të objektit të Komunës së Çairit, aty ku aktualisht ndodhet objekti i shkollës për fëmijë me nevoja të veçanta “Idnina”. Megjithatë, ky mbetet vetëm një projekt i paralajmëruar, që, sipas burimeve, nuk është i formalizuar as në letër. Iniciativa, thuhet se ka nisur rreth një vit e gjysmë më parë në bashkëpunim mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe OSBE-së.
Disa banorë nga Komuna e Çairit në një bisedë për Portalb.mk thonë se brenda Komunës së Çairit ka pasur një bibliotekë dhe qytetarët e kanë shfrytëzuar, por nuk dihet se a funksion më. Po ashtu ata treguan se dikur në atë zonë ka funksionuar një bibliotekë, e cila tani është kthyer në parking ku edhe shiten lule, afër xhamisë së Isa Beut.
Nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) konfirmuan për Portalb.mk se nuk ka pasur ndonjë bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, për ndërtimin e ndonjë biblioteke publike në Komunën e Çairit.
Pyetëm edhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në lidhje me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.