Fituesja e Nobelit për Paqe tha se populli iranian do të triumfojë kundër sunduesve

Populli iranian do ta mposhtë përfundimisht autoritarizmin e vendosur nga Qeveria, e cila i ka humbur ligjshmërinë dhe mbështetjen e popullit, tha nga burgu fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, në një fjalim që u lexua nga fëmijët e saj të dielën, raporton REL.

Komitetit norvegjez i Nobelit ia ndau këtë çmim Mohammadit në tetor, për luftën e saj të padhunshme “kundër shtypjes së grave në Iran” dhe për promovimin e të drejtave të njeriut për të gjithë.

Binjakët e saj 17 vjeç, Kiana dhe Ali Rahmani, e pranuan çmimin, një medalje ari dhe një diplomë, në një ceremoni në Oslo të Norvegjisë, ku morën pjesë disa qindra mysafirë. Çmimi përfshin edhe një shumë parash prej rreth 1 milion dollarësh.

Në fjalimin e saj, të cilin e dërgoi nga burgu famëkeq i Iranit, Evin, Mohammadi tha se rezistenca e vazhdueshme dhe mospërdorimi i dhunës janë strategjitë më të mira për të sjellë ndryshim.

“Populli iranian, me këmbëngulje, do ta mposhtë autoritarizmin dhe shtypjen. Mos kini dyshime, kjo është e sigurt”, shkroi ajo në gjuhën frëngjishte.

Ajo është duke kryer dënime të shumta nën akuzat që përfshijnë gjoja përhapjen e propagandës kundër Republikës Islamike. Ajo u arrestua në nëntor 2021.

“Po e shkruaj këtë mesazh brenda mureve të larta dhe të ftohta të burgut”, tha Mohammadi, duke shtuar se ajo dhe shumë aktivistë të tjerë në Iran po luftojnë vazhdimisht për “të mbetur gjallë”.

Ajo e fitoi këtë çmim rreth një vit pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgimin e policisë së moralit të Iranit, e cila ishte arrestuar se gjoja nuk e kishte veshur si duhet shaminë e kokës, apo hixhabin.

Gratë iraniane u kanë prirë protestave gjithëkombëtare, të cilat u nxitën nga vdekja e Aminit në shtator 2022.

Protestat e humbën gjallërinë dalëngadalë kah fundi i vitit 2022, pasi protestuesit u përballën me hakmarrje të fortë shtypëse nga forcat e sigurisë. Qindra protestues u vranë dhe mijëra u arrestuan, sipas aktivistëve dhe Kombeve të Bashkuara.