Policia kreu bastisje në burgun e “Idrizovës”, ka gjetur sasi të madhe sendesh të paligjshme

Policia sot në mëngjes ka kryer bastisje në INP në Idrizovë, njofton Prokuroria Publike. Shkak, siç thonë nga atje, është ekzistimi i dyshimeve për vepra penale, transmeton Portalb.mk.

“Në një aksion të koordinuar nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, për shkak të dyshimeve për vepra të kryera penale, mëngjesin e sotëm janë kryer bastisje në INP Idrizovë – Shkup me qëllim të sigurimit të materialit dëshmues”, njoftuan shkurtimisht nga Prokuroria Publike e Shkupit.

Drejtori i burgut, Zoran Jovanovski, në një deklaratë për MIA-në, tha se gjatë bastisjeve janë gjetur një sasi e madhe e sendeve të paligjshme.

Siç raportojnë një pjesë e mediave, policia dyshohet se kishte dijeni se në burg po përgatitej një përplasje mes dy grupeve.

Burgu në Idrizovë disa herë deri më tani ka qenë cak i bastisjeve për shkak të dyshimit se ata që ndodhen pas hekurave për shkak të krimeve, vazhdojnë zinxhirin nëpër qelitë e burgut. Në disa raste gjatë kontrolleve janë gjetur celularë, drogë, sende të mprehta, para…

Bastisja në repartin gjysmë të hapur në burgun “Idrizovë” është bërë në fundjavën e fundit të tetorit 2023 kur disa nga të burgosurit kanë bërë rezistencë dhe më pas janë përleshur me policinë. Gjatë kontrollit u gjetën 63 aparate celularë, 82 thika, 71 karikues telefoni dhe drogë.

Disa prej të burgosurve kanë treguar për mediat se kanë përfunduar me kocka të thyera pasi janë sulmuar dhe rrahur nga policia.

Avokati i Popullit atëkohë tha se në këtë rast janë tejkaluar kompetencat e policisë.