Disa policë të lënduar gjatë përleshjeve me të burgosurit në Idrizovë

Të paktën dhjetë policë dhe një pjesë e të burgosurve janë lënduar gjatë përleshjes që ka ndodhur në Idrizovë. Të burgosurit i kanë rezistuar tentimit të policisë për të kryer bastisje në qelitë, por policët i mposhtën, tha zëdhënësi i MPB-së Toni Angellovski, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Ai deklaroi se, policë nga Byroja për Siguri Publike në koordinim me PTHP Shkup, pas njohurive paraprake dhe urdhrit të marrë nga Gjykata Penale Shkup për bastisje, kanë kryer bastisje në burgun e Idrizovës. Bastisja është realizuar në repartin gjysmë të hapur, gjatë së cilës janë gjetur 63 telefona celularë, 82 thika dhe drogë.

“Gjatë veprimeve zyrtare të ndërmarra, janë mbledhur një grup më i madh i të burgosurve të cilët kanë rezistuar në mënyrë aktive, por u mposhtën pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra. Me këtë, janë lënduar 10 nëpunës policor, ndërsa janë lënduar edhe një pjesë e të burgosurve”, deklaroi në një video deklaratë Angellovski.

Udhëheqësia e burgut të Idrizovës ende nuk është prononcuar për këto zhvillime.