Policia gjeti personat që vozisnin në mënyrë “të egër” përgjatë bulevardeve të Shkupit, do të ngrihen edhe padi (VIDEO)
Katër të rinj po udhëtonin nëpër Shkup me një makinë të paregjistruar, në fund të Bulevardit Aradhat Partizane, pranë tregut në Gjorçe Petrov. Ende nuk dihet se kur janë bërë videot, por ato po shpërndahen gjerësisht në rrjetet sociale. Pamjet kanë shkaktuar një mori komentesh, të cilat kryesisht dënojnë aktin, transmeton Portalb.mk.
Pas shfaqjes së videos, Ministria e Brendshme menjëherë ndërmori masa për identifikimin dhe sanksionimin e personave të përfshirë.
Siç informon Ministria e Brendshme, pas aktiviteteve të ndërmarra, personat u identifikuan dhe u krye një intervistë zyrtare me ta. Kundër tyre do të ngrihen padi përkatëse në përputhje me Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor dhe Ligjin për Automjete.
Shoferi S.Z. (20) nga Shkupi akuzohet për: transportimin e një personi në pjesën e jashtme të një automjeti (neni 167 paragrafi 2), drejtimin e një automjeti pa leje drejtimi (neni 225 paragrafi 9), drejtimin e një automjeti të paregjistruar (neni 26 paragrafi 10 i Ligjit për Automjete).
R.Gj. (19), personi që qëndronte mbi vetur, do të mbahet përgjegjës për: lejimin e një personi për të drejtuar një automjet pa leje drejtimi (neni 317 paragrafi 14), rrezikimin e sigurisë personale (neni 165 paragrafi 2).
SPB Shkup gjithashtu njofton masa shtesë për sqarimin e plotë të rastit, duke u bërë thirrje qytetarëve për sjellje të përgjegjshme në trafik dhe respektim të rregulloreve ligjore.