Policia e Strugës kërkon që të nisë procedurë kundërvajtëse kundër Komunës së Strugës dhe kryetarit të saj për mosshfaqjen e flamurit të RMV-së
Departamenti i Punëve të Brendshme të Strugës ka paraqitur kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse kundër personit juridik – Komunës së Strugës, si dhe kundër personit përgjegjës M.Q. (65) nga fshati Bixhevë i Strugës, përkatësisht kryetarit të komunës Mendi Qyra, për veprën e kryer në kundërshtim me nenin 6, dhe të dënueshme sipas nenit 11 të Ligjit për përdorimin e flamujve të komuniteteve në Republikën e Maqedonisë, njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.
“Të pandehurit, si organizatorë të një eventi me rastin e Ditës së Flamurit Shqiptar, i cili u mbajt më 28.11.2025 në rrugën ‘Marshall Tito’ në Strugë, nuk e shfaqën ose vendosën flamurin shtetëror të Republikës së Maqedonisë, gjë që ishin të detyruar ligjërisht ta bënin, as në skenë as në një pjesë të bregut së lumit Drini i Zi, përveç flamurit të komuniteteve”, thuhet në njoftim të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në brifingun e djeshëm me gazetarët tha se i kishte dërguar mesazh kryetarit të Strugës, Mendi Qyra, duke shprehur zhgënjim të thellë që në Ditën e flamurit shqiptar në këtë komunë, flamuri maqedonas nuk u shfaq, përkrah atij shqiptar.
“Unë personalisht i dërgova mesazh kryetarit të Komunës se isha i zhgënjyer. Ai më bindi se kështu ishte çdo vit, por nuk është ashtu”, tha Mickoski.
Sipas tij, kryetari i komunës kishte shans të dallohej si një kryetar komune jopartiak, një kryetar komune i të gjithë qytetarëve, por nuk e bëri këtë.
Mickoski shtoi se nuk beson se këshilltarët e VMRO-DPMNE-së në këshillin komunal do ta mbështesin punën e Qyrës.
“Nuk mendoj se këshilltarët e VMRO-DPMNE-së do ta mbështesin punën e këtij kryetari. I thashë se ky është një fillim i keq për të, dhe nuk ka shans të dytë për një përshtypje të parë. E para ishte katastrofike”, theksoi kryeministri.