Policia e RMV-së zyrtarisht hapi procedurë për dy komunat që e organizuan pritjen e kryeministrit Kurti

Dy komunat e Maqedonisë së Veriut dhe kryetarët e tyre që organizuan pritjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtin, janë ftuar në bisedë informative nga në Policia e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Sot, Ministria për Punë të Brendshme deri te Gjykatat themelore përkatëse ka dorëzuar kërkesë për nisjen e procedurës kundërvajtëse ndaj dy subjekteve juridike, Komunës së Çairit dh Komunës së Tetovës, dhe personave përgjegjës të këtyre subjekteve juridike, kryetarët e këtyre komunave, V.G. dhe B.K.”, raportoi Policia.

Kryetari Ganiu sot pas bisedës informative sqaroi që ndaj tij janë planifikuar dy dënime, njëri për shkak mospërdorimit të flamurit të Maqedonisë së Veriut dhe himnit të saj, gjatë ardhjes së Kurtit.

“Në kohën e vizitës zyrtare të delegacionit të shtetit të Kosovës, udhëhequr nga kryetari i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, gjatë organizimit më 11 gusht, në rrugën “Ferid Murati” në Shkup dhe në Sheshin e Qytetit në Tetovë, nuk është vepruar në bazë të Ligjit për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, deklarojnë nga Policia.

Policia theksoi që kjo është shkelje e nenit 30 të këtij Ligji, ndërsa ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj një qytetari i cili në shesh ka shfaqur “flamurin e Shqipërisë së madhe”.

Kujtojmë se, më 11 gusht me prezencën edhe të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u bë promovimi i riemërimit të rrugës në Komunën e Çairit.

Brigada e dytë maqedonase me përbërje multietnike ka qenë një ndër forcat partizane në Maqedoni e cila luftoi me sukses me okupatorin fashist bullgar, si dhe forcat fashiste në territorin e Jugosllavisë. Adem Demaçi, i cili ndërroi jetë në vitin 2018, ka qenë disident, gazetar, shkrimtar dhe politikan, i cili luftoi për pavarësinë e Kosovës, ndërsa në rrugën e riemëruar në Çair ka jetuar për kohë të shkurtër.