Policia e Maqedonisë së Veriut vazhdoi konfiskimin e mijëra mjeteve piroteknike

Në qytete të ndryshme të Maqedonisë së Veriut ka vazhduar konfiskimi i mjeteve piroteknike nga punonjësit e policisë, duke arrestuar edhe qytetarët që kryenin shitblerjen e tyre, transmeton Portalb.mk.

“Janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej 6.964 copë  të ndryshme piroteknike, kryesisht pushkaliqe, në tri objekte tregtare në fshatrat e Gostivarit, Negotinë dhe Dobridoll, ku janë privuar nga liria tre persona”, njoftoi Policia e Maqedonisë së Veriut.

Për këtë, ata kanë arrestuar 61 vjeçarin I.D., 49 vjeçarin H.J. dhe 60 vjeçarin G.R. Ndaj tyre është paralajmëruar edhe kallëzim.

“Nëpunës policorë nga Seksioni për trafikim të paligjshëm me drogë dhe armë në SPB Veles kanë ndaluar personin I.K.(69) nga Velesi. Gjatë kontrollit të tij iu gjetën dhe iu morën gjithsej 1115 copë mjete të ndryshme piroteknike”, raportoi Policia.

Ndryshe, Policia e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar që përdorimi i mjeteve piroteknike në vendet publike është i dënueshëm prej 100 deri 250 euro.