Policia e Maqedonisë së Veriut me thirrje të re për mesazhet e rrejshme për dënimet në komunikacion
Mesazhet e rrejshme në lidhje me dënimet në komunikacion, përsëri janë shndërruar në sfidë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, për çka ka reaguar përsëri Policia e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
“Është vërejtur një dukuri e shpeshtë ditëve të kaluara, ku persona të panjohur nëpërmjet një numri telefonik të huaj +639606963624 u dërgojnë përdoruesve të Maqedonisë mesazhe për gjoja kundërvajtje të regjistruar në trafik dhe kërkojnë të bëhet pagesa me kartë pagese për të njëjtin në ueb faqen e rreme: http://mvr.govmk.cam/mk.”, raporton Policia.
Qytetarët që janë mashtruar kanë paguar gabimisht nga 1 500 denarë për kundërvajtjen, duke ndjekur udhëzimet e mesazheve të rrejshme.
“ Për njohje më të lehtë të mesazhit të vërtetë, qytetarët duhet të kenë parasysh se në pjesën e dërguesit të mesazhit duhet të figurojë MVR-SC (në përkthim MPB-Safe Country)”, raportoi Policia, duke kërkuar nga qytetarët të jenë më të kujdesshëm.
Ndryshe, qytetarët në Maqedoninë e Veriut në fillim të muajit maj kanë denoncuar një mesazh të dyshimtë që pretendohet se vjen nga Ministria e Punëve të Brendshme, duke ngritur alarmin për një tjetër rast mashtrimi online. Sipas denoncimit të një qytetareje në Portalb.mk, mesazhi i është dërguar përmes telefonit dhe paraqitet si njoftim zyrtar për shkelje në komunikacion. Në këtë mesazh thuhet se automjeti i pranuesit ka kryer një shkelje rrugore dhe kërkohet pagesa e një gjobe, me pretendimin për ulje prej 50% nëse pagesa bëhet brenda 8 ditëve. Gjithashtu, përfshihet një link i dyshimtë që paraqitet si portal zyrtar për pagesa dhe ankesa, si dhe një kërkesë për t’u përgjigjur me “1” për të parë prova të supozuara.
Ndryshe, në RMV qytetarët vazhdimisht pranojnë mesazhe të rreme me mashtrime për vjedhjen e të dhënave personale.
Autoritetet më parë kanë bërë thirrje që qytetarët të mos klikojnë në linqe të panjohura dhe të mos japin të dhëna personale apo bankare përmes mesazheve të tilla.