Policia e Kosovës konfiskoi mjete të rrezikshme, të cilat konsideron se do të përdoreshin kundër tyre

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar armë në rajonin e Mitrovicës së Veriut, përkatësisht në “Lagjen e boshnjakëve” për të cilat konsideron që do të përdoreshin kundër tyre, raporton Koha.net. Fillimisht, bëhet e ditur, se është marrë informacion se përball shkollës së mesme teknike janë fshehur disa armë që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve apo paraqesin rrezik potencial për përdorimin e tyre ndaj personelit policor si dhe pengimin në realizimin e detyrave ligjore.

Pas kontrollit, njësitet policore kanë gjetur tela gjemborë të improvizuar, bomba tymuese, municion dhe një uniformë.

Bëhet e ditur se uniforma e gjetur sot është e ngjashme me uniformat që janë përdorur nga grupi që kreu sulmin në Banjskë.

“Veprimet policore operacionale në teren ende po vazhdojnë me qëllim të identifikimit të mjeteve të tjera të dyshuara në mënyrë që të parandalohet rrezikimi nga to i qytetarëve apo të parandalohet ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës që po punojnë për ruajtjen e rendit dhe garantimin e sigurisë”, thuhet në komunikatë.