Po kthehej nga një mbrëmje me dy shokë, u vra 25 vjeçari shqiptar në Itali

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm, 14 shkurt, komunitetin e Santa Maria a Monte në provincën e Pisa, raporton Klan. Shqiptari 25-vjeçar, Kevin Muharremi, është vrarë me armë zjarri teksa po kthehej nga një mbrëmje me dy shokë.

Sipas hetimeve të para, një automjet i është afruar makinës së viktimës në qendër të Montecalvolit dhe ndaj tij është qëlluar tre herë.

Një prej tyre plumbave, i riu e ka marrë në qafë, duke i shkaktuar vdekjen në vend.

Shokët që ishin me të nuk patën lëndime, ndërsa po merren në pyetje nga hetuesit.

Zona është rrethuar nga forcat policore për kryerjen e ekspertizave dhe po shqyrtohen pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët dhe rrugën e tyre të arratisjes.

Hetuesit nuk e përjashtojnë asnjë pistë, nga larja e hesapit deri te përfshirja e mundshme e krimit të organizuar.