BFI-ja me Qarkore në lidhje me organizimin e institucioneve fetare gjatë Muajit të Ramazanit
Muaji i Ramazanit do të fillojë më 19 shkurt, ndërsa namazi i parë i taravisë do të jetë më 18 shkurt. BFI-ja ka theksuar që namazi i taravisë në të gjitha institucionet të falet me 20 rekate, transmeton Portalb.mk.
“Namazi, si shtylla themelore e Islamit të realizohet konform parimeve të fikhut Hanefi dhe namazi i teravisë të falet me ritëm të ngadalësuar edhe ajo jo më pak se 20 rekate duke dhënë selam në çdo katër rekate”, thuhet ndër të tjera në Qarkoren e BFI-së.
Xhamitë që do të realizojnë aktivitete të ndryshme, duhet të marrin leje nga BFI-ja, ndërsa mysafirët duhet të thirren pas lejes së Myftinisë.
“Mysafirët – Teologët nga jashtë vendit të jenë të ftuar nga Muftinitë përkatëse dhe Rijaseti i BFI e RMV-së. Të gjithë nëpunëist fetarë të jenë të autorizuar me Autorizim nga Muftinia përkatëse, ose me Dekret nga Reisul-Ulema i BFI e RMV-së”, theksohet në Qarkore.
BFI-ja ka përkujtuar se sasia e sadekatul fitrit do të ndahet në katër kategori (600, 500, 400 dhe 300 denarë”, duke rekomanduar që zekati dhe sadekatul fitri të jepen në fondin e mirëmbajtjes së Shkollave Fetare Islame – Medresenë Isa Beu dhe Fakultetin e Shkencave Islame – Shkup.
Ndryshe, teravia e parë më 18 shkurt do të fillojë në ora 18:43 në Shkup, ndërsa teravitë tjera do të jenë dy orë pas iftarit.
Falja e namazit të sabahut gjatë muajit të ramazanit do të jetë 30 minuta pas imsakut.
Bashkësia Fetare Islame ka paralajmëruar se për Muajin e Ramazanit do të bëhet hapja e xhamisë së re në Shkup.