Plani i Trumpit për shkurtimin e ndihmave amerikane në botë e mori aprovimin final
Dhoma e Përfaqësuesve e ka miratuar përfundimisht mëngjesin e së premtes kërkesën e presidentit Donald Trump për t’i tërhequr rreth 9 miliardë dollarë nga fondet për ndihmat amerikane në botë dhe për transmetuesit publikë, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Paketa për shkurtime financiare kaloi me 216 vota pro dhe 213 kundër, dhe tani do t’i dërgohet presidentit Trump për t’u nënshkruar në ligj.
Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve erdhi pasi paketa u ndryshua këtë javë nga Senati për t’i përjashtuar shkurtimet prej rreth 400 milionë dollarësh për programin global për luftën kundër HIV/AIDS-it, PEPFAR.
Kjo ishte hera e parë pas dekadash që një president ka arritur me sukses të paraqesë një kërkesë për anulim fondesh dhe Shtëpia e Bardhë la të kuptohej se nuk do të jetë as e fundit.
“Duhet të rikthehemi tek sensi fiskal dhe ky është një hap i rëndësishëm”, tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, R-La.
Kundërshtarët shprehën shqetësime jo vetëm për programet e prekura, por edhe për faktin se Kongresi po ia dorëzonte kompetencat e tij për shpenzimet degës ekzekutive, pasi investimet e miratuara në mënyrë dypartiake po anuloheshin më pas me vota të ndara sipas vijës partiake.
Ata thanë se përpjekjet e mëparshme për anulim kishin pasur të paktën mbështetje të pjesshme dypartiake dhe e përshkruan paketën republikane si të paprecedentë.
Asnjë demokrat nuk e mbështeti paketën kur ajo kaloi në Senat me 51 vota pro dhe 48 kundër, në orët e para të së enjtes.
Ndër shkurtimet për ndihmat amerikane në botë përfshihen: 800 milionë dollarë për një program që ofron strehim emergjent, ujë dhe ribashkimin e familjeve për refugjatët, 496 milionë dollarë për të siguruar ushqim, ujë dhe kujdes shëndetësor për vendet e goditura nga katastrofat natyrore dhe konfliktet.
Gjithashtu përfshihet një shkurtim prej 4.15 miliardë dollarësh për programet që synojnë forcimin e ekonomive dhe institucioneve demokratike në vendet në zhvillim.
Shtëpia e Bardhë argumentoi se shumë nga këto shkurtime do të nxisnin vendet e tjera të marrin më shumë përgjegjësi në përballjen me krizat humanitare dhe se anulimi i fondeve i shërben më së miri taksapaguesve amerikanë.