Plani Gjeneral Urbanistik për Tetovën nuk do të miratohet as këtë vit, Kasami e tërhoqi afatin

Plani Gjeneral Urbanistik për Tetovën nuk do të jetë gati dhe nuk do të miratohet këtë vit siç u paralajmërua. Komuna e Tetovës tani nuk ka afat konkret realizimi se kur pritet të përfundojë ky proces, shkruan Portalb.mk.

I pyetur nëse do të miratohet këtë vit siç edhe paralajmëroi, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e konfirmoi se kjo nuk pritet të ndodh deri në përfundim të vitit. Ai tha se po punohet edhe në studime tjera të cilat janë pjesë e planit gjeneral.

“Afatet tona janë diçka, por kemi edhe situata kur ballafaqohemi me probleme administrative sepse plani gjeneral nënkupton përfshirjen e gati të gjitha institucioneve në shtet, në këtë rast kemi situatë të paparashikuar edhe po zgjatin procedurat dhe ndoshta do dalim jashtë afateve të parapara më herët… Jo nuk realizohet në vitin 2026”, tha Kasami.

Kujtojmë se kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami nuk arriti ta realizojë miratimin e planit gjeneral urbanistik siç premtoi brenda gjashtë muajve në mandatin e parë. Të njëjtin premtim ai e ka vendosur edhe në programin e mandatit të dytë, por kësaj here pa ndonjë afat konkret kohor.

Miratimi i planit gjeneral urbanistik është nevojë e madhe për qytetin pasi shihet si zgjidhje për zvogëlimin e kaosit në trafik dhe ndërtimeve. Për herë të fundit plani gjeneral urbanistik u miratua në vitin 2003. Në vitin 2019 filloi procedura për sjelljen e një plani të ri, por kjo ngeci.

Me miratimin e planit të ri gjeneral urbanistik parashihet të zbutet kaosi urban në Tetovë, përmes zgjerimit të hapësirave, rrugëve, bulevardeve, parqeve dhe të tjera.