PK “Mali Sharr” kërkoi ndihmë nga qytetarët në lidhje me arinjtë

Duke alarmuar se arinjtë i janë afruar vendbanimeve në afërsi të Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, autoritetet kanë kërkuar ndihmë nga qytetarët në këtë periudhë, transmeton Portalb.mk.

“Për të reduktuar rrezikun nga takime të padëshiruara me njerëzit dhe për të ndihmuar në shëndetin dhe sigurinë e këtyre banorëve të rëndësishëm të malit tonë, po nisim një iniciativë për ushqim simbolik të arinjve në vende të largëta dhe të sigurta, larg vendbanimeve dhe shtigjeve malore”, paralajmërojnë nga PK “Mali Sharr”.

Ata theksojnë që kjo zhvendosje e arinjve në dy javët e fundit vjen për shkak mungesës së burimeve natyrore të ushqimit. Drejtoria e Parkut Kombëtar do të kujdeset për shpërndarjen e ushqimit.

“Kërkojmë donacione vullnetare të mollëve dhe misrit nga prodhimi vendor, me qëllim që ushqimi të jetë sa më i afërt me dietën natyrore të ariut (Ursus arctos), e cila kryesisht bazohet në bimë”, kërkoi PK “Mali Sharr”, duke theksuar se kanë nevojë vetëm për këto dy lloje të ushqimit vendor.

Qytetarët do të mund të dorëzojnë donacione në hapësirat e Parkut Kombëtar “Mali Sharr” te teleferiku i vjetër në periudhën 08:00-16:00, apo përmes numrit të kontaktit 072 239 122.