Petrovska – Wallander: Maqedonia e Veriut ka rol konstruktiv për sigurinë rajonale

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska sot në kuadër të takimit ministror të SHBA-së – Karta e Adriatikut, ka takuar ndihmës sekretaren e Mbrojtjes së SHBA-së, Celeste Wallander, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin e përbashkët maqedono-amerikan në mbrojtje, si dhe roli i shtetit tonë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal, transmeton Portalb.mk.

Ministrja Petrovska u shpreh e kënaqur me rezultatin e takimit të iniciativës A5 dhe diskutimet e hapura në seancat, me të cilat u konfirmua edhe një herë vendosmëria e vendeve anëtare për bashkëpunim në mbrojtje dhe siguri, në trajtimin e dezinformatave dhe kërcënimeve hibride, si dhe duke mbështetur zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura përmes dialogut dhe bashkëpunimit.

Roli i SHBA-së si patron i iniciativës është i një rëndësie të veçantë për suksesin e saj – nënvizoi Petrovska.

Në kuadër të partneritetit dhe aleancës strategjike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, Petrovska falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në zhvillimin e aftësive mbrojtëse.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj aleancës dhe mbështetjes së ndërsjellë. Jemi mirënjohës për të gjithë mbështetjen amerikane të deritanishme në zhvillimin e ushtrisë maqedonase dhe veçanërisht në modernizimin dhe pajisjen e forcave të armatosura. Maqedonia e Veriut po i kushton vëmendje të veçantë këtij procesi, me rritje të vazhdueshme të investimeve në mbrojtje që do të vazhdojë edhe në vitin 2024”, tha ministrja.

Petrovska iu referua gjithashtu stërvitjeve të përbashkëta, të cilat ajo tha se janë mënyra më e mirë për të ndërtuar ndërveprueshmërinë midis aleatëve.

“Ne vlerësojmë shumë çdo mundësi për të praktikuar dhe stërvitur së bashku, sepse kështu mësojmë nga dhe për njëri-tjetrin. Këto ushtrime na bëjnë më të fortë dhe më të sigurt”, theksoi Petrovska, e cila përmendi edhe poligonin e Krivolakut si kapacitet që e ka treguar vlerën e tij si fushë stërvitore në vitet e fundit.

Ministrja Petrovska dhe Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Wallander, diskutuan edhe për sfidat e sigurisë globale, ndërsa dënuan edhe një herë agresionin rus kundër Ukrainës.

Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes Wallander theksoi se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë rolin konstruktiv të Maqedonisë së Veriut për stabilitetin e rajonit dhe do të vazhdojnë të mbështesin Maqedoninë e Veriut në zhvillimin e aftësive mbrojtëse.

Rikujtojmë se deri më tani Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se Ukrainës i janë dhuruar tanke, pajisje ushtarake, si dhe 12 helikopterë Mi-24.